TIRANË, 1 tetor /ATSH/-“Greqia nuk është një vend skeptik, por ka disa pika që lidhen drejtpërdrejt me këndvështrim e saj mbi marrëdhëniet bilaterale”, deklaroi kryeministri Edi Rama lidhur me vendimin e Greqisë për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE.
Gjatë një interviste televizive, Rama tha se “ndryshimi i qeverisë ka bërë që disa gjëra duhet të rifillojnë në procesin e një informimi reciprok dhe unë jam shumë besimplotë që ne me Greqinë do të ecim, sepse kemi hapur një rrugë dhe do ta çojmë përpara”.
Në lidhje me marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë, Rama deklaroi se “nuk kemi diskutuar për këtë, por mendoj se nuk ka asnjë arsye për t’u kthyer në pikën zero, këtu bëhet fjalë për të komunikuar më shumë gjë që ne po e bëjmë dhe rakorduar pozicionet dhe për të kuptuar se ku gjendemi aktualisht në raport me qeverinë e re greke”. e.xh/ /a.g/























