Reshjet e shiut/ OSHEE në terren për riparim e defekteve

TIRANË, 24 shtator /ATSH/- Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) OSHEE bën të ditur se, po ndjek me përparësi furnizimin me energji elektrike të të gjithë konsumatorëve dhe në terren grupet e punës kanë eliminuar defektet e shfaqura gjatë natës prej motit të keq, me reshje të dendura, stuhi dhe shkarkesa atmosferike.

Nga dispeceritë qendrore raportohet se rajonet më të prekura nga defektet janë Tirana, Durrës dhe Burrelit. Defektet janë kryesisht të llojit: këputje përcjellësash, thyerje izolatorësh, dëmtime kabllosh, uji në kabina, etj.

Në raport me situatën në mesnatë, të dhënat e orës 09:30 paraqesin një përmirësim të situatës së furnizimit me energji elektrike me 31%. OSHEE thekson se, “në kushtet e një moti me reshje dhe me prezencë uji në objektet elektrike, është e vështirë të ndërhyhet pasi rrezikohet jeta e punonjësit. Sikurse, disa fidera janë stakuar për masë sigurie nga vet kompania, për të evituar pasoja të mëtejshme në jetë njerëzish dhe defektesh”.

Duhet thënë se, vështirësi në riparimin e defekteve paraqitet ne zonat rurale ku kryesisht janë linja ajrore, gjë që sjell vonesa në riparimin e tyre per shkak të terrenit. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.