Nxitja e eksporteve shqiptare/ Diskutim me ekspertët e Bankës Botërore

TIRANË, 20 shtator /ATSH/ Përfaqësues të Agjencisë së Nxitjes së Investimeve të Huaja (AIDA) dhe ekspertë të Bankës Botërore zhvilluan sot në Tiranë, një takim për promovimin e eksporteve shqiptare.

Albana Zykaj, përgjegjëse e Sektorit të Ndërmarrjeve të Vogla të Mesme (NVM) dhe Eksporteve, Pëllumb Qosja, specialist i NVM dhe Eksporte dhe ekspertët e Bankës Botërore Christoph Ungerer dhe Hilda Shijaku, u fokusuan në këtë takim, në përmirësimin e eksporteve përmes certifikimit dhe standardeve që duhet të plotësojnë bizneset prodhuese.

Palët pjesëmarrëse u njohën me rolin, misionin dhe shërbimet që ofron AIDA në mbështetjen e NMV-ve shqiptare dhe promovimin e eksporteve, krahas thithjes dhe mbështetjes së investimeve të huaja duke përmendur hapa konkrete që janë ndërmarrë në këtë drejtim.

Gjithashtu, u theksua rëndësia e përmirësimit të eksporteve si një proces i gjatë dhe i vështirë, që kërkon jo vetëm standarde, certifikim, pjesëmarrje në panaire, por edhe njohuri mbi tregjet me vlera të larta, zhvillim të strategjive të eksporteve dhe marketingut të kompanive, edhe kapacitete njerëzore.

Në vazhdim, u diskutua mbi bashkëpunimin në drejtim të promovimit të eksporteve dhe përcaktimin e fushave të ofrimit të asistencës teknike nga Banka Botërore në zhvillimin dhe promovimin e eksporteve në Shqipëri. Gjatë takimit u dakordësua për vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta për zhvillimin e tregtisë dhe eksporteve mes AIDA dhe Bankës Botërore.

Eksportet vlerësohen si një nga prioritetet e qeverisë për zhvillimin e ekonomisë dhe përballjen e procesit të liberalizimit të tregtisë së Shqipërisë në tregun ndërkombëtar. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.