TIRANË, 13 shtator/ATSH/ Finalja e Kampionatit Botëror të Basketbollit do të jetë Spanjë-Argjentinë. Pas iberikëve, pasdite ishte kombëtarja Albiceleste e cila preku aktin e fundit të kampionatit botëror të basketbollit për meshkuj që zhvillohet në Kinë.
Argjentina triumfoi ndaj ekipit pretendent të Francës me rezultatin 80-66, falë një loje të shkëlqyer të bërë nga veterani 39-vjeçar Luis Scola, autor i një double-double, me 28 pikë dhe 13 kërcime në tabelë.
Më herët sot, Spanja ka arritur në finalen e saj të dytë në historinë e Kupës së Botës të FIBA-s, pasi mundi Australinë 95-88 në “LeSports Center” të Pekinit. Spanjës iu desh një ndeshje dramatike me dy shtesa 5-minutëshe, që të kalonin në avantazh e të prisnin biletën e parë të finales. Padyshim një nga ndeshjet më të bukura e më të luftuara të këtij botërori, ku duhet vënë në pah padyshim loja mjaft e mirë e kombëtares së Australisë.
Finalja Argjentinë-Spanjë luhet këtë të dielë, 15 shtator. /marca/r.e/























