Ballina Ekonomi

Peshkimi, me rritje vjetore dyshifrore

TIRANË, 12 shtator /ATSH/- Përjashtimi nga akciza i karburantit që përdorin anijet e peshkimit dhe formalizimi i këtij sektori, ka rritur në shifra dyshifrore sasinë e zënies së peshkut, por edhe të numrit të të punësuarve.

Zënia e peshkut nga të gjitha kategoritë ujore, gjatë vitit të fundit u rrit në 14.875 tonë nga 12.719 tonë që ishte në vitin 2017, duke shënuar një rritje në terma vjetorë me 17,0%.

Instituti i Statistikave bëri të ditur sot se, struktura e zënieve sipas kategorisë ujore, për vitin 2018 përcakton peshkimin “Detar” si kategorinë me prodhimin më të lartë për sektorin, me 37,2%, ndaj prodhimit total, ndjekur nga “Akuakultura” me 34,5%, si dhe Ujërat e brendshme me 16,3%, ndaj totalit.

Në vitin 2018, rritjen më të madhe vjetore, e ka shënuar kategoria “Molusqe” me rreth 157,7%, krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, me rritje kanë rezultuar dhe zëniet nga kategoria “Akuakulturë” me 28,5%, kategoria “Ujërat e brendshme” me 20,9% dhe nga “Peshkimi detar” me 20,2%. Kategoria ujore “Peshkim bregdetar” ka shënuar rënie me 70,6%, krahasuar me një vit më parë, ndjekur nga kategoria “Peshkim lagunor” me 41,7%.

Sipas INSTAT specia e cila ka rezultuar me përqindjen më të madhe të zënë është “Açuga” me 24,4% ndaj totalit, ndjekur nga “Karkaleci i thellësisë” me 20,6% dhe “Merluci” me 14,1%. Për sa u përket zënieve në ujërat e brendshme, specia “Krap” ka përqindjen më të madhe të zënë ndaj totalit, me rreth 23,6%, pasuar nga “Skorta” (19,9%) dhe specia “Karas” (19,8%). e.xh/j.p/

 

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakZjarr në Iballë, punohet për shuarjen e flakëve
Artikulli tjetërGjirokastër, bashkëpunim ndërinstitucional për garantimin e sigurisë së qytetarëve