TIRANË, 4 shtator /ATSH-A.ALLA/ “Ne kemi nisur një proces të një reforme tërësore për vijën bregdetare. Eksperiencat e viteve janë të mjaftueshme për të kaluar në një stad tjetër”, – tha sot Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me koordinatorët e bashkëqeverisjes, pas rastit të zgjidhur të Blerina Papajanit nga Durrësi, për zënien e hapësirës publike të pallatit nga një subjekt i lëvizshëm.
Rama tha se “rritja dhe këtë vit e numrit të turistëve të huaj në Shqipëri përtej vështirësive dhe dëmit që solli gjashtë mujori i parë i vitit ka bërë që seriozisht të angazhohemi për të angazhuar gjithë shoqërinë që të kuptojmë se vijën bregdetare nuk mund ta lëmë më tutje me një situatë të ndërmjetme”.
“Është vendosur goxha rregull në krahasim me të shkuarën, por është larg së qenit një vijë bregdetare që administrohet ashtu siç duhet në funksion të ardhmes vendit, të mbrojtjes së një pasurie të madhe natyrore, zhvillimit etj”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se, “kam shumë besim që së shpejti ne do kemi gati këtë paketë të ndërhyrjes me ligj për sa i përket kontrollit dhe administrimit të vijës bregdetare dhe do përgatitemi shumë fortë që sezonin e ardhshëm të ketë një ndryshim të madh”.
“Kemi garantuar sezone më të pastra se më parë, gjithsesi pastërtia mbetet një sfidë, kemi garantuar sezon më të qetë se më parë, por zhurma mbetet sfidë. Hapësira publike e plazheve mbetet një sfidë. Për t’i garantuar të gjithëve akses, atyre që pushojnë në plazh dhe thjesht kanë nevojë për hapësirën e tyre të rërës dhe detit dhe që nuk ka arsye pse të paguajnë privatët që zënë hapësirat me çadra e shezllonë”, – përfundoi Kryeministri Rama.
Blerina Papajani në ankesën drejtuar platformës së bashkëqeverisjes shprehej se në ambientet e përbashkëta në zonën e plazhit Durrës kryente aktivitet një subjekt i lëvizshëm i cili kishte zënë hapësirën publike. Nga ana e Policisë Bashkiake Durrës u morën masa të menjëhershme për penalizimin e subjektit dhe lirimin e hapësirës publike.






















