Ballina Aktualitet

Rilindja Urbane e Maliqit, rruga hyrëse me standarde optimale

TIRANË, 1 korrik/ATSH/- Rruga Maliq-Libonik, nga një rrugë gropash, e kthyer në ferrin e drejtuesve të mjeteve, tashmë një rrugë me standarde, me korsi biçikletash, trotuare, gjelbërim dhe ndriçim led në të gjithë gjatësinë e saj. Rruga me gjatësi 2,3 kilometër është drejt përfundimit dhe pritet të lehtësojë lëvizjen e mjeteve dhe daljen e fermerëve në tregje.

Kryeministri Rama, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu, ishte në këtë kantier, ku punimet janë është drejt përfundimit. “Kemi ndërhyrë edhe në disa fasada në fshatin Maliq dhe në Libonik dhe e gjithë gjatësia ka marrë formë”, – tha kryetari i Bashkisë Topçiu.

“Rruga hyrëse e Maliqit, nga një rrugë gropash, ferr shumëvjeçar për drejtuesit e mjeteve, drejt përfundimit si një rrugë me standarde optimale në vazhdën e Rilindjes Urbane të Maliqit”, u shprehet kreu i qeverisë.

Duke parë nga afër punimet që po kryhen për transformimin e rrugës, Rama tha se “rruga ka dale shumë mirë. Ndriçimi i rrugës është led në të gjithë gjatësinë, pra ka kursim energjie”.

Kryetari i bashkisë së Maliqit Topçiu u shpreh se “këtu ka pasur kioska, tani kemi filluar vendosjen e kangjellave dekorative, që do të jenë të unifikuara në të gjithë gjatësinë”.

Ai tha se kemi ndërhyrë në disa fasada në fshatin Libonik dhe të Maliqit dhe rruga ka marrë formë.

Kreu i bashkisë së Maliqit u shpreh se anës rrugës do të mbillen pemë, si dhe do të ketë mjedise për tu ulur, ku banorët mund të kalojnë orët e lira. Po ashtu ka edhe dy stacione autobusi”.

“Duam ta lidhim me pyllin e fazanëve, pasi do të ketë edhe korsi biçikletash”, shtoi ai.
Rruga kap një gjatësi prej 2.5 km, prej të cilave 1.1 km është rrugë e re që do të ndërtohet për këmbësorët. Ajo do të ketë 8 metër gjerësi për qarkullimin e automjeteve, trotuare, rrugë për biçikleta, pjesë të gjelbëruar dhe 2200 ndriçues.

Punimet parashikojnë prishjen e të gjitha ndërtimeve të paligjshme dhe do të ketë mure dekorativ guri dhe kangjella duke sjellë në realitet infrastrukturën hyrëse më të bukur në qytetin e Maliqit.

Po ashtu, rikualifikimit do t’i nënshtrohet edhe zona përreth, me rikonstruksionin e plotë të rrjetit inxhinierik nëntokësor, si dhe rehabilitimin e fasadave të 13 pallateve.

/k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak80-vjetori i fillimit të Luftës së Dytë Botërore/ Meta në Varshavë: Shqipëria, solidaritet për forcimin e paqes
Artikulli tjetërVARSHAVË – Duda: Do t’i kujtojmë gjithmonë ata që sakrifikuan për një botë të lirë