Ballina Ekonomi

Japonia, grante për mbështetjen ndaj Durrësit

TIRANË, 30 Gusht /ATSH/ – Shumë shpejt qeveria japoneze do të fillojë një program grantesh si mbështetje për qytetin e Durrësit. Gjithashtu biznesi japonez do të nxitet  për të investuar në Durrës dhe për këtë do të ketë hapa konkretë së shpejti.

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Valbona Sako ka zhvilluar një takim me ambasadorin japonez në vendin tonë, Makoto Ito.

Ambasadori japonez Ito pasi e ka ururar për detyrën kryebashkiaken Sako ka biseduar me të një sërë temash lidhur me bashkëpunimin midis dy vendeve:

“Durrësi është një qytet mjaft i rëndësishëm. Unë vij e vizitoj shpesh dhe e kam promovuar Durrësin duke ftuar turistët japonezë ta vizitojnë qytetin tuaj. Jam i bindur që do të kemi një bashkëpunim mjaft të mirë ku shumë shpejt do të fillojë një program grantesh si mbështetje e qeverisë japoneze e po kështu shpresojmë që të nxisim edhe biznesin japonez për të investuar në Durrës dhe besoj se për këtë do të kemi hapa konkretë së shpejti.”

Nga ana e saj kryebashkiakja Sako e ka  njohur ambasadorin japonez me historinë dhe mundësitë që ofron qyteti i Durrësit veçanërisht në sektorin e turizmit dhe atij ekonomik:

“E vlerësoj vizitën tuaj në Durrës dhe më vjen mirë që ky ishte një takim konkret për të thelluar bashkëpunimin. Synimi ynë është afrimi i sa më shumë bizneseve për të investuar në qytetin tonë.Durrësi është një qytet i rëndësishëm për ekonominë e vendit me portin më të madh dhe më me rëndësi në Shqipëri dhe rajon. Më vjen mirë që bashkëpunimi ynë do të sjellë projekte që i shërbejnë qytetit të Durrësit.”

Në fund të takimit kryebashkiakja Sako i ka dhuruar ambasadorit japonez edhe një nga simbolet e qytetit, Torra Veneciane, e punuar në mënyrë artizanale. /j.p/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMartusciello: Ndaj “Napolit” për të fituar
Artikulli tjetërBERLIN – Marrëveshje greko-gjermane në energjetikë dhe ekonominë e gjelbër