Ballina Bota

AUSTRALI – Gjykata e Apelit konfirmon dënimin e kardinalit Pell për pedofili

MELBURN, 21 gusht /ATSH-AFP/ – Drejtësia australiane konfirmoi sot në apel dënimin me gjashtë vite burg të kardinalit George Pell, ish-numri tre i Vatikanit, për përdhunim dhe agresion seksual të dy fëmijëve në vitet 1990 dhe urdhëroi mbajtjen e tij në burg.

I veshur me një kostum të errët, kardinali 78-vjeçar u shfaq para Gjykatës së Lartë të shtetit australian të Viktorias në Melburn, duke ulur vazhdimisht kokën kur gjykatësja, Anne Fergusson lexonte vendimin.

Ky vendim është pritur me emocion nga turma e njerëzve që qëndronin jashtë, të cilët e kanë përshëndetur me duartrokitje që janë dëgjuar deri në sallën e gjykimit.

Ish-sekretari i Ekonomisë në Selinë e Shenjtë, 78 vjeç, u dënua me gjashtë vite burg për abuzimin e dy adoleshentëve 13-vjeçarë në katedralen e Melburnit.

Gjykata e Apelit kundërshtoi argumentin e Pell se ky vendim ishte i padrejtë. Ish sekretari i Ekonomisë në Selinë e Shenjtë do të mbetet në burg derisa të ketë të drejtën e lirimit me kusht në tetor 2022.

Dhjetorin e kaluar, gjykata dënoi unanimisht Pell për abuzime seksuale të djemve 13-vjeçarë në Katedralen e Shën Patrikut./ /ec/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakInteresat e bonove të thesarit u rritën në 2,18%
Artikulli tjetërTotali i depozitave në sistemin bankar është rritur me 4,4%