Ballina Flash

Porti i Sarandës pret velierën e lashtë nga Katari

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ – Veliera e lashtë nga Katari, e konsideruar një muze në miniaturë mbi trashëgiminë e detarisë në Katar do të prekë sot portin e Sarandës.

Porti i Sarandës është ndalesa e parë në Shqipëri për velierën “Fateh Al Khair 4”, e cila do të jetë e disponueshme të vizitohet nga qytetarët.

Ndërkohë që në sheshin e portit të Sarandës do të organizohet ceremonia e pritjes, me prani të autoriteteve qendrore e vendore, bën të ditur Porti.

Banorët e Sarandës dhe turistët e pranishëm në pritje, do të kenë mundësinë të hyjnë dhe të shohin nga brenda anijen, ku do të njihen me velierën, si dhe me kulturën detare të Katarit.

Atyre do t’u shpërndahen edhe suvenire që simbolizojnë Botërorin “Qatar 2022”. Gjithashtu veliera është e pajisur me ekrane të mëdha për të prezantuar stadiumet dhe përgatitjet e tjera të infrastrukturës sportive ku do të mbahen ndeshjet e Botërorit të Futbollit “Qatar 2022”.

Anija e llojit “Boom Safari” është e punuar prej druri, me gjatësi 110 këmbë dhe gjerësi 27 këmbë dhe me kapacitet mbajtës prej 200 tonësh./k.s/j.p.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakElbasan/ Bashkëpunimi me qytetarët, mbi 1 mijë masa administrative për shkelje të qarkullimit rrugor
Artikulli tjetërASTRONOMI – Zbulohet planeti i dytë rreth yllit Beta Pictoris