TIRANË, 19 gusht /ATSH/ – Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla është shprehur sot se institucionet e ngarkuara nga Kushtetuta dhe ligji duhet të marrin përgjegjësitë që iu takojnë në situatën e krijuar në bashkinë e Shkodrës.
Balla ka uruar sot Këshillin e ri bashkiak të Shkodrës në punën e tij shumë të rëndësishme.
Duke i shprehur ndjesë komunitetit të nderuar të bashkisë së Shkodrës për situatën e krijuar pas dorëheqjes se detyrueshme të kryetarit të zgjedhur të bashkisë, Balla është shprehur se, si në çdo rast PS qëndroi përtej çdo interesi partiak, politik apo individual, vetëm në anën e ligjit dhe të interesit publik.
“Sot shkodranët kanë “kuvendin” e tyre të ri lokal, të përbërë nga 51 këshilltarë bashkiakë të zgjedhur në Zgjedhjet Vendore të 30 Qershorit. Duke i uruar këshillit të ri bashkiak urime në punën e tij shumë të rëndësishme, Partia Socialiste i shpreh ndjesë komunitetit te nderuar të Bashkisë së Shkodrës për situatën e krijuar pas dorëheqjes së detyrueshme të Kryetarit të zgjedhur të Bashkisë, por si në çdo rast ne qëndruam përtej çdo interesi partiak, politik apo individual, vetëm në anën e ligjit dhe të interesit publik”, është shprehur Balla.
“Si në çdo rast, kur mes palëve politike përfshihen institucionet ligjzbatuese dhe kur bëhet fjalë për raportin e individit me ligjin, Partia Socialiste nuk investohet në asnjë debat. Ligji është i barabartë për të gjithë dhe ai vetëm duhet zbatuar nga kushdo”, ka nënvizuar ai.
“Në lidhje me kompetencën e Këshillit Bashkiak në raport me Kryetarin e Bashkisë, në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak u konstatua fakti i mosparaqitjes së fituesit si Kryetar Bashkie Shkodër në zgjedhjet e datës 30 qershor 2019, Valdrin Pjetri për të bërë betimin në përputhje me ligjin. Sa më sipër, institucionet e ngarkuara nga Kushtetuta dhe ligji duhet të marrin përgjegjësitë që u takojnë në situatën e krijuar”, ka theksuar Balla.
/gj.mima/j.p/























