TIRANË, 16 gusht/ ATSH/ Portali “Infermierë për Shqipërinë” për punësimin e profesionistëve të shëndetësisë tashmë është pjesë e ligjit të ri të kujdesit shëndetësor dhe konkursi i radhës i cili do të hapet në muajin shtator do ketë disa ndryshime.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu thotë se numri i aplikimeve në portal kap shifrat e 2671 kandidatë për të konkurruar për një vend pune për infermierë, mami, teknikë laboratori, fizioterapistë, teknikë imazherie në sistemin shëndetësor publik.
“2671 aplikime në portalin “Infermierë për Shqipërinë” për të konkurruar për një vend pune për infermierë, mami, teknikë laboratori, fizioterapistë, teknikë imazherie në sistemin shëndetësor publik . Aplikimet u mbyllën. Konkursi do të zhvillohet në shtator. Ndiq rregullat e reja”, -bën apel Manastirliu.
Aplikimi i kandidatëve kryhet online në portal dhe një kopje të dokumenteve dërgohet në Drejtoritë Rajonale të Operatorit të Kujdesit Shëndetësor. Ndërkaq, kandidatët mund të përzgjedhin se ku duan të punojnë duke aplikuar deri ne tre njësi vendore, dhe jo më në qarqe. Kandidatët duhet të paraqiten me kuponin e regjistrimit ditën e testimit. Testimi do të kryhet në Qendrën e Shërbimeve Arsimore. Rezultatet shpallen në kohë reale me vlerësimin e informatizuar. z.tosku/j.p/






















