Ballina Aktualitet

Katari, interes për investime në Shqipëri

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Ambasadori i Katarit në Tiranë, Ali bin Hamad Al-Marri u shpreh sot se, “Katari po eksploron potencialet dhe fushat e investimeve që kanë interes të përbashkët sepse Shqipëria ka një pozicion gjeografik të favorshëm në Ballkan dhe Europë”.

Në një intervistë televizive, ambasadori flet për marrëdhëniet mes dy vendeve, raportet ekonomike, mundësinë e investimeve në Shqipëri, kampionatin Botëror të Futbollit “Qatar 2022”.

Ambasadori Ali bin Hamad Al-Marri theksoi se “Shqipëria ka një pozicion gjeografik të favorshëm në Ballkan dhe Europë në përgjithësi, çka e bën atë një vend atraktiv për investimet e huaja”.

“Krahas pozicionit, vendi zotëron potenciale të mëdha në sektorët e energjisë, transportit, bujqësisë dhe turizmit, si dhe pasuri natyrore në minerale, ujë etj. Prandaj, mundësitë për investime në Shqipëri janë të shumta dhe interesante që mund të shfrytëzohen në mënyrë optimale e që mund të sjellin përfitim të përbashkët dhe të forcojnë ekonominë shqiptare. Mund të them se fusha e infrastrukturës, transportit, turizmit, industrisë dhe minierat përbëjnë sektorë premtues dhe tërheqës për investime”, tha ai.

Nga Katari, sipas tij, “janë disa kompani private që kanë shfaqur interes për të operuar në Shqipëri”.

“Ambasada jonë është duke bërë të gjitha përpjekjet për të mbështetur nismat që synojnë rritjen e bashkëpunimit midis kompanive dhe bizneseve dhe eksplorimin e mundësive të përbashkëta të investimit në të dy vendet. Gjithashtu, jam i sigurt se realizimi i reformave që po zbaton aktualisht Republika e Shqipërisë, veçanërisht reforma në Drejtësi, do të ketë një impakt shumë pozitiv në thithjen e investimeve të huaja dhe do të kontribuojë në përmirësimin e klimës së biznesit në vend”, u shpreh Ambasadori i Katarit.

Ai u shpreh besimplotë që Shqipëria dhe shqiptarët kanë një të ardhme premtuese. “Vendi i ka të gjitha kapacitetet dhe potencialet për zhvillim dhe prosperitet. Pozicioni gjeografik i Shqipërisë është strategjik. Shqipëria sot është shtet anëtar i NATO-s, vend kandidat për anëtarësim në BE, dhe në 2020 do të kryesojë OSBE-në. Shqiptarët janë një popull vital dhe krenar për trashëgiminë dhe historinë e tij. Ata i kanë të gjitha aftësitë për të realizuar aspiratat e tyre”, tha ai.

Në aspektin social dhe kulturor, Ambasadori informoi se një anije e vjetër katariane me vela po lundron aktualisht në vendet e rajonit në një turne që quhet “Fatah Al Khair 4”.

“Deri tani ka vizituar Turqinë dhe Greqinë dhe më 20 gusht 2019 do të mbërrijë në brigjet Shqiptare. Me këtë rast do të zhvillohen shumë aktivitete kulturore të përbashkëta në disa qytete të Shqipërisë deri më datën 26 gusht. Ky turne detar unik në llojin e tij që do të zgjasë katër muaj gjatë këtij viti, synon të njohë popujt e vendeve ku do të ndalojë anija, me kulturën dhe trashëgiminë e Katarit, si dhe promovimin e Botërorit të Futbollit “Qatar 2022””, tha ai./m.m/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVARSHAVË – Ministri polak: Trupat amerikane në Poloni, një garanci e rëndësishme
Artikulli tjetërNis puna për transformimin e Cërrikut, Balla: Garanci për një model të ri qeverisje