FOTO/ Madhështia e malit të Gjallicës

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ – Në ditën e festës së malit të Gjallicës, pjesë e Parkut natyror Korab-Koritnik, të rinjtë e grupit Smile Albania së bashku me punonjësit e AdZM Kukës organizuan një udhëtim njohës e promovues të vlerave natyrore dhe turistike të kësaj zone.

Ata zhvilluan një itinerar turistik duke kaluar nëpër monumentet e natyrës që kjo zonë ka nga Kroi i Bardhë, Rrobulli Laku i Topojanit, Kroi i Kuq, Kroi i Kishës, Kroi i Tanzot deri në Majën e Gjallicës.

Gjithashtu grupi i Smile Albania Kukës, Agjencia e Zonave të Mbrojtura Kukës dhe Ermal Hallaçi, drejtues i guidës turistike të qytetit të Kukësit, bënë ngjitjen e Malit të Gjallicës, 2489 m mbi nivelin e detit pjesë e Parkut Natyror Korab- Koretnik.

Maja e Gjallicës është tashmë një destinacion për turistët dhe të pasionuarit e ngjitjes të cilët gjatë udhëtimit të tyre, shoqërohen edhe nga mikpritja e banorëve të zonës ku është pikënisja e udhëtimit.

Gjallica është mali më i lartë në rrethin e Kukësit me lartësi prej 2489 m mbi nivelin e detit. Ai ngrihet në lindje të qytetit të Kukësit, mes Malit të Koritnikut dhe atij të Kolesjanit.

Lumi i Lumës ka gërryer një kanion të thellë mes Malit të Koritnikut dhe Gjallicës, duke formuar Grykën e Vanave, kurse në jug, Gjallica ndahet nga Mali i Kolesjanit nga një përrua që ka formuar një kanion po ashtu të thellë. /a.a/

 

 

 

 

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.