Miratohen ndryshimet në funksionimin e agjencisë për cilësinë e arsimit

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Këshilli i ministrave miratoi disa ndryshime dhe shtesa mbi organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe Bordin e Akreditimit si dhe përcaktimin e tarifave për proceset e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë.

Sipas vendimit, eksperti vendas ose i huaj, që angazhohet në kuadër të plotësimit të kushteve apo për vlerësimin paraprak në kuadër të hapjes ose riorganizimit të IAL-ve, dhe të programeve të studimit, përzgjidhet nga ministria përgjegjëse për arsimin nga lista e miratuar nga ASCAL-i.

Numri i ekspertëve duhet të jetë jo më pak se dy dhe masa e pagesës për të gjithë ekspertët të jetë jo më shumë se 25% e tarifës bazë të parashikuar për vlerësimin e jashtëm të IAL-së ose programit të studimit.

Gjithashtu në vendim sqarohet se vlerësimi i jashtëm në kuadër të akreditimit të parë të programeve profesionale të studimit, si dhe të programeve të studimit të ciklit të parë dhe të dytë në IAL-të publike bëhet i grupuar, aty ku është e mundur dhe për jo më shumë se tri programe, sipas ciklit dhe fushës së studimit në nivel njësie bazë.

Ekspertët për vlerësimin e jashtëm, në kuadër të akreditimit të parë të programeve të studimit profesional, si dhe të programeve të ciklit të parë dhe të dytë të studimit në IAL-të publike, paguhen 70% të vlerës së secilit program studimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.