Ibrahimaj: Karburantet me pompa manuale do të bllokohen

TIRANË, 1 gusht /ATSH/- Në kuadër të Planit Operacional kundër informalitetit, Drejtoresha e Tatimeve Delina Ibrahimaj tha se “karburantet nuk lejohet të shesin me regjim manual. Ata duhet të ndërpresin shitjen e tyre dhe të raportojnë te administrata tatimore nëse nuk u punon kasa”.

Gjatë një konference për shtyp,  Ibrahimaj theksoj se, është konstatuar se në shumë pika karburanti bëhen ndërhyrje duke kaluar nga regjimi automatik në regjimin manual.

Ibrahimaj tha se, në lidhje me sistemet fiskale të karburanteve, në vijim të gjetjeve të Hetimit Tatimor, të cilat konkluduan në arrestimin e dy personave,  nga sot, me Urdhër të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, (DPM) do të kryejnë inspektime të përbashkëta pranë subjekteve të tregtimit të hidrokarbureve me qëllim verifikimin e përmbushjes së detyrimeve ligjore nga ana e tyre dhe çertifikimin e regjimit, i cili duhet të jetë automatik.

“Ligji nuk lejon që karburantet të sheshin në regjim manual, nëse kanë probleme me pompën duhet të ndërpresin shitjen dhe të raportojnë te tatimet apo kompanitë e kasave. Gjatë muajve të fundit në shumë karburante ka rezultuar se bëhen ndërhyrje të pompave duke i kaluar nga automatik në manual. Synimi është certifikimi i regjimit automatik. Ato që janë me regjim manual do të bllokohen. Nëse janë me regjim automatik, do të certifikohen” tha Ibrahimaj.

Administrata Tatimore në bashkëpunim  me Drejtorinë e Metrologjisë do të fokusojnë inspektimet gjatë muajit gusht në pikat e furnizimit të karburanteve në të gjithë vendin, në 1200 subjekte dhe 3200 pompa që regjistron ky sektor.

Inspektimi do të mbulojë të gjithë territorin e vendit,  në të gjitha pompat që mundësojnë ndryshimin e regjimit nga automatik në manual, për pompat e bllokuara nga strukturat e hetimit tatimor të evidentuara duke transmetuar në regjim manual si dhe në të gjitha rastet e tjera.

“Do të bëhet certifikimi teknik dhe plumbçosja e tyre, nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë nën mbikëqyrjen e Inspektoreve Tatimor. Ky proces i çertifikimit të regjimit automatik në tregtimin e hidrokarbureve, është në vazhdën e Planit të gjerë operacional kundër informalitetit, i cili përgjatë gjithë muajit Gusht do të fokusohet tek karburantet, për të garantuar respektimin e rregullit “pa kupon s’ka karburant”, për të gjithë operatorët në këtë sektor, duke nisur nga më të mëdhenjtë deri tek më të vegjëlit.”- deklaroi ajo.

Sipas saj, i gjithë plani operacional, synon formalizimin e ekonomisë shqiptare me qëllim që paratë e konsumatorëve të shkojnë për përmirësimin e shërbimeve ndaj tyre, për investime në arsim, shëndetësi, infrastrukturë publike dhe jo në xhepat e bizneseve abuzuese,  të cilët cenojnë konkurencën e ndershme dhe mirëqënien e individëve.

e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.