NIKOZIA, 29 korrik /ATSH-DPA/ – Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka mirëpritur takimin mes udhëheqësve grekë dhe turq në Qipro për të shqyrtuar mundësinë e rinovimit të bisedimeve mbi ishullin e ndarë.
Pas takimit me Mitsotakis në Nikozia, presidenti qipriot Nikos Anastasiades tha se “është e nevojshme të gjejmë një zgjidhje që garanton të drejtat e qipriotëve turq dhe grekë”.
Anastasiades do të takohet me kreun qipriot turk, Mustafa Akinci më 9 gusht në Nikozia.
Mitsotakis tha se e mirëpret takimin për të vlerësuar nëse është e mundur të kapërcehet ndarja e gjatë e ishullit.
Qiproja është ndarë për arsye etnike që nga viti 1974, pas një grushti shteti grek, dhe një ndërhyrje ushtarake të mëvonshme turke.
Të gjitha bisedimet e mëparshme në OKB që kërkojnë të ribashkojnë ishullin kanë dështuar, përfshirë raundin e fundit të bisedimeve, që përfundoi në korrik 2017.
Vendi u pranua në Bashkimin Europian në vitin 2004, por ligjet e BE-së zbatohen vetëm në pjesën jugore të ishullit, që është nën kontrollin e qeverisë së njohur ndërkombëtarisht.
Republika e vetëshpallur qipriote turke në veri është njohur vetëm nga Ankaraja./ /os/ a.jor.























