Ballina Ekonomi

200 studentë, pjesë e stafit të inspektorëve në luftën kundër informalitetit

TIRANË, 25 korrik /ATSH/- 200 studentë në datën 1 gusht do të kryejnë praktikat e punësimit në strukturat e Ministrisë së Financave, për t’u bërë pjesë e stafit të inspektorëve në luftën kundër informalitetit.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj tha sot, gjatë një interpelance me përfaqësues të biznesit, se angazhimi i qeverisë në kuadër të zbatimit të planit operacional për luftën kundër informalitetit është maksimal dhe për këtë po punohet në të gjitha drejtimet me të gjithë aktorët.

“Dua t’ju kujtoj, – tha Denaj, – që të gjithë studentët nga jugu, deri në veri të vendit, mund të aplikojnë deri në datën 31 korrik, për t’u punësuar si praktikant pranë strukturave tona inspektuese në terren, se kush nga bizneset është i paregjistruar, ku ka fatura ende pa regjistrin fiskal”.

“Në analizën e riskut ne kemi evidentuar rreth 6100 biznese në sektorin e turizmit, ndërtimit dhe të akcizës, të cilët paraqesin risk potencial, ndaj dhe inspektimi e monitorimi ynë është fokusuar paraprakisht në këto subjekte”, – tha Denaj.

“Lufta kundër informalitetit do të shtrihet gjatë gjithë vitit, me qëllim mbrojtjen e biznesit të ndershëm, konsumatorit dhe ekonomisë formale eficiente”, – deklaroi Denaj. /e.xh/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFluks turistësh edhe gjatë korrikut, Klosi: Rritje me 18,8% krahasuar me një vit më parë
Artikulli tjetërNga 1 gushti, 300 studentë nisin praktikat pranë drejtorive të Tatimeve dhe Inspektoriatit të Punës