TIRANË, 22 korrik /ATSH – I. Vata/ – “Reforma në drejtësi është e pa kthyeshme dhe e panegociueshme , ka deklaruar sot Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, në ceremonia e promovimit të botimit parlamentar “Reforma në Sistemin e Drejtësisë”
Ruçi tha se reforma në drejtësi është meritë ekskluzive e Kuvendit të Shqipërisë.
“Reforma në drejtësi nuk është një reformë si gjithë të tjerat. Analiza e sistemit, pikat e forta dhe të dobëta, plani i veprimit për reformimin e sistemit, hartimi i ndryshimeve kushtetuese dhe 30 projektligjeve janë fryt i përpjekjeve të shumta për të ndryshuar një sistem gjyqësor të korruptuar dhe për të krijuar bazën e një mentaliteti të ri, mbi të gjitha të atyre që ofrojnë drejtësi. Reforma në drejtësi është një meritë ekskluzive e Kuvendit të Shqipërisë, një arritje dhe shërbimi më i mirë për shoqërinë dhe qytetarët shqiptarë, për shtet-bërjen dhe të ardhmen e vendit”, tha ai.
Ruçi shtoi se “për këtë reformë punuan ekspertë vendas dhe ndërkombëtar, të cilët i falenderoj edhe njëherë për kontributin që kanë dhënë e po japin për kryerjen e saj.
“Falenderoj EURALIUS-in, OPDAT-in, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian, si edhe ambasadat, misionet dhe ekspertët nga të gjitha vendet partnere, pa mbështetjen e të cilëve reforma në drejtësi nuk mund të projektohej, realizohej e zbatohej. Zbatimi i reformës është i nevojshëm dhe i mirëpritur nga qytetarët, por edhe nga miqtë e partnerët ndërkombëtare dhe kjo është lexuar qartë në të gjitha takimet që unë kam pasur me kryetarët e parlamenteve të vendeve të Bashkimit Europian”, tha ai.
Kryeparlamentari theksoi se kam ndjekur e mbështetur reformën që në projektimin dhe hapat e saj të parë.
“Reforma e drejtësisë është një mundësi reflektimi e kontributit dhe përgjegjësive tona si legjislatorë të Republikës. Prej reformës, unë si mbështetës i fuqishëm i saj, kam nxjerrë mësimet e mia dhe besoj se kështu po ndodh edhe me secilin prej jush. Prandaj gjatë dy viteve në detyrën e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë i kam dhënë përparësi të dukshme mbështetjes së organeve kushtetuese dhe institucioneve të pavarura, monitorimit të tyre e të Qeverisë në shërbim të interesit publik e qytetarëve”, tha ai.
Po ashtu, Ruçi vlerësoi kontributin e shoqërisë civile.
“Puna për reformën dëshmoi se bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe botën akademike është nevojë jetike dhe instrument vital për t’i shërbyer vendit. Në dijeninë time, nuk njoh ndonjë rast tjetër, ku bashkëpunimi midis ligjvënësve dhe ekspertëve të ketë dhënë një produkt kaq madhor sa korpusi i ligjeve të reformës në sistemin e drejtësisë” tha ai.
Ruçi theksoi se “reforma është e ndërlikuar dhe ecën paralelisht në tri drejtime: realizimin e ndryshimeve ligjore; ngritjen e bërjen funksionale të institucioneve të reja dhe kryerjen e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve e prokurorëve. Kuvendi i Shqipërisë miratoi para pak ditësh dy ligjet që reflektuan vendimet e gjykatës Kushtetuese, duke kryer ndryshimet ligjore të nevojshme për funksionin e plotë të organeve të drejtësisë. Pavarësisht pengesave, ngritja, plotësimi dhe vënia në funksion të plotë e organeve të reja të qeverisjes së sistemit është drejt përfundimit dhe pritet të realizohet në fillim të sesionit të ri parlamentar. Kuvendi ka miratuar të gjitha strukturat organizative dhe të gjitha burimet njerëzore, financiare e materiale për organet e vetingut”.
“Për arsyen e thjeshtë se ajo është e dëshiruar për të gjithë qytetarët dhe se destinacioni europian, fati dhe e ardhmja e Shqipërisë nuk mund të negociohet. Por ritheksoj se as reforma në drejtësi, as vettingu, as ngritja e institucioneve të reja të sistemit nuk janë qëllim në vetvete. Sfida e vërtetë e reformës është dhënia e drejtësisë dhe barazia reale e shtetasve para ligjit”, tha ai.
















