TIRANË, 12 korrik/ATSH/Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, deklaroi sot se “qeveria shqiptare është e angazhuar që portat e hyrjes së Shqipërisë të jenë moderne, dinjitoze, funksionale dhe të pakalueshme për kalimin e parregullt”.
Në fjalën e tij në ceremoninë e përurimit të godinës së re të Policisë Kufitare në Hanin e Hotit, në Shkodër, Lleshaj theksoi se pika kufitare e Hanit të Hotit është kompletuar në infrastrukturë, por tani duhet të kompletohet edhe në shërbim “profesional dhe të besueshëm”.
“Ambientet e reja do ti japin mundësi agjencive ligjzbatuese të kryejnë edhe më lehtë edhe me efikasitet të lartë menaxhimin e kufirit, realizimi i këtij investimi me vlerë 45 milionë lekë, krijon kushtet për ta përmirësuar nivelin dhe cilësinë e shërbimit tonë”, – nënvizoi Lleshaj.
Por, vijoi ai, të gjitha këto investime kanë një impakt të rëndësishëm mbi turizmin, i cili po zhvillohet me ritme të kënaqshme duke marrë në konsideratë klimën jo krejt të favorshme që kemi parë gjatë gjysmës së parë të këtij viti.
“Fluksi turistik ka ardhur në rritje të vazhdueshme dhe kemi rritje 10% të fluksit në pikat tona të kalimit kufitar, që tregon për një tendencë në rritje dhe influencim minimal nga problematika e brendshme që ka njohur vendi gjatë kësaj periudhe. Kjo pikë është një model që duhet të vazhdoje me të njëjtën frymë e intensitet në të gjitha pikat e kalimit kufitar në Shqipëri”, – theksoi Lleshaj.
Ministri Lleshaj bëri të ditur se “është ende problematike gjendja në disa pika të kalimit kufitar ku kemi infrastrukturë të viteve ’80 në kuptimin e volumit dhe kapaciteteve të përpunimit, ndërkohë që flukset e lëvizjes krahasuar me vitet kur janë ndërtuar janë rritur shumë herë”.”
“Kemi filluar një proces të rëndësishëm me Kosovën në pikën e kalimit kufitar të Morinës ku aplikimi i një kontrolli të përbashkët ka bërë që pritja te ulet me 50%. Qëllimi jonë është që kjo kohë të reduktohet më shumë për ta bërë zero kohën e pritjes në kufijtë tanë me te gjitha vendet që kufizohemi”, – tha Lleshaj.
Por, shtoi ai, që të ndodh kjo duhet të rrisim profesionalizimin e punonjësve të Policisë Kufitare që duhet të shndërrohen në model profesionalizmi.
“Punonjësit e policisë kufitare duhet të jenë në lartësinë e duhur, me integritet të lartë profesional e moral”, tha Lleshaj. /k.s/ /a.g/











