ZAGREB, 8 korrik /ATSH-HINA/ – Liderja e partisë START, njëkohësisht ish-kryetarja e Komisionit Parlamentar kroat për Konfliktin e Interesit, Dalija Oreshkoviç njoftoi se do të kandidonte për presidente e vendit duke thënë se institucionet që duhet të luftojnë korrupsionin janë zhytur ose po përballen me një eutanazi politike.
“Mora një vendim në kulmin e skandaleve të korrupsionit që shpërthyen në qeveri: asnjë nga kandidatët deri tani nuk ka ofruar zgjidhje të pranueshme për padrejtësitë sociale të krijuara nga korrupsioni, që ka depërtuar në të gjitha poret e qeverisë dhe shoqërisë”, theksoi Oreshkoviç në një intervistë me kanalin televiziv Nova TV.
”Për momentin, duket se të gjitha institucionet që duhet të luftojnë korrupsionin ose janë zhytur ose janë në rrugën e duhur për të qenë të eutanazuar si në rastin e Komisionit të Konfliktit të Interesit”, deklaroi ajo.
“Kjo është arsyeja pse unë mendoj se është shumë e rëndësishme të flas për gjëra që unë jam e sigurt se asnjë kandidat tjetër nuk do t’i trajtojë si unë”, tha Oreshkoviç.
Megjithëse START dështoi të fitojë një vend në Parlamentin Europian në zgjedhjet e majit, ajo tha se kjo nuk ishte një deficit.
“Kjo ishte zgjedhja e parë për një parti të re politike, e cila po fiton një përvojë politike: një disfatë nuk mund të jetë shkak për dekurajim dhe të gjithë ata që angazhohen në bindjet dhe qëllimet e tyre politike, duhet të gjejnë forcën për të luftuar sa më shumë’’, përfundoi Oreshkoviç./ /os/ a.jor.























