TIRANË, 8 korrik /ATSH – I. Vata/ -“30 qershori ishte një referendum kundër së keqes, ishte demonstrimi i mrekullueshëm i lirisë, i europianizmit dhe qytetarisë së shqiptarëve. 30 qershori ishte dita kombëtare e kurajos, kur shqiptarët treguan se ata kanë forcë të ndahen nga e keqja”, – tha kryetari i PD-së Lulzim Basha, në fjalën e tij në protestën e opozitës joparlamentare para Kryeministrisë.
Më tej, Basha shtoi se “30 qershori ishte dita e popullit, kur shqiptarët treguan se janë kundër regjimit të Edi Ramës. Mijëra protestues në sheshin para Lryeministrisë janë triumfi i shpresës mbi dëshpërimin, triumfi i kurajos mbi frikën, triumfi i popullit mbi qeverinë e keqe”.
“Edi Rama, vetë kandidoi, vetë votoi, vetë numëroi dhe, prapë vodhi vota, por ai nuk mundi dot të fshehë braktisjen dhe refuzimin e tij nga populli”, – tha Basha,
Ai shtoi se 85% e shqiptarëve e refuzuan regjimin e tij, krimin dhe korrupsionin, varfërinë dhe mungesën e shpresës.
Po ashtu, Basha tha se “u jam mirënjohës të gjithë ju që jeni në këtë shesh. U jam mirënjohës të gjithëve atyre që bojkotuan 30 qershorin. Faleminderit që nuk u dëshpëruat dhe nuk u dorëzuat në asnjë çast”.
“Bashkë do ta rrëzojmë këtë qeveria antipopullore dhe antikombëtare, – tha Basha duke shtuar se, – bashkë jemi një uragan politik i pandashëm”.
“Shqiptarët nuk janë të lirë, ëndrra për Shqipërinë si Europa është ende e parealizuar, sepse Europa është sundimi i ligjit, Europa është kufizimi i pushtetit”, – tha ai.

























