TIRANË, 6 korrik/ATSH/ Qendra e turizmit në Valbonë po rikonceptohet si një qendër multifuksionale që ofron akomodim, informacion për vizitorët, hapësira për zyra, për nisma të reja turistike, etj.
Me financim të qeverisë shqiptare dhe Bankës së Këshillit të Europës, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka ndërmarrë një projekt për rikonstruksionin e qendrës së turizmit në Valbonë.
Ndërhyrjet konsistojnë në restaurim arkitektonik dhe funksional të dy objekteve ekzistuese për t’u përshtatur me funksionet e reja të qendrës.
Po ashtu parashikohet ndërtim i 4 bungalow për t’iu përgjigjur nevojave të qendrës në kohën e pikut turistik, ku ndërtimi është projektuar i thjeshtë me një interpretim modern të arkitekturës tradicionale të zonës.
Një tjetër ndërhyrje do të jetë ndërtimi i një dyqani dhuratash, për të promovuar artin dhe prodhimet e zonës.
Turizmi është perspektiva më premtuese e zhvillimit për Valbonën dhe Tropojën. Mbi 120 mijë turistë vendas dhe të huaj vizitojnë Valbonën çdo vit.
Aktualisht turizmi malor është zhvilluar kryesisht në Luginën e Valbonës, por e gjithë zona ka një numër të madh atraksionesh të tjera që mbeten ende të pashfrytëzuara.
Projekti ka për qëllim rritjen e standardit të aktiviteteve dhe shërbimeve të ofruara në zonë, diversifikimin e ofertës turistike dhe nxitjen e nismave të reja turistike.
/m.m/j.p/




















