TIRANË, 3 korrik/ATSH/- “Inter” është e vendosur të shes Mauro Icardin. Sulmuesi argjentinas nuk është në planet e zikaltërve dhe trajneri Antonio Conte e ka bërë të qartë, që nuk ka dëshirë ta ketë as në grumbullimin që do të nis më datën 5 korrik.
Nga krahu tjetër “Juventus” kurrë nuk e ka fshehur dëshirën për të pasur në skuadër ish sulmuesin e “Sampdorias”, i cili sezonin e shkuar nuk shkëlqeu, duke parë dhe problemet me “Interin”. Ai luajtur 29 ndeshje, 24 si titullar dhe 6 si zëvendësues dhe shënoi vetëm 11 gola dhe pikërisht duke parë këtë rendiment dhe duke parë dhe marrëdhënien jo të mirë që ka “Interi” me futbollistin, drejtuesit e kampionëve të Italisë nuk janë të disponueshëm të paguajnë shifra marramendëse për futbollistin, prandaj dhe janë duke pritur momentin e duhur për të “sulmuar”.
Sipas gazetës italiane, “Tuttosport”, sulmuesi që ka shënuar 124 gola në 219 ndeshja te “Interi”, është ëndrra e bardhezinjëve, që sëbashku me Cristiano Ronaldon do të krijonin një nga sulmet më të frikshme të kampionatit Italian të futbollit. Sipas të përditshmes torineze, “Juventus” do të pres deri në fund të merkatos për të nisur tratativat me “Interin”, për të për të përfituar një çmim sa më të ulët për futbollistin, që momentalisht nuk ka kërkesa. “Inter” shpreson që deri atëherë të ketë gjetur një sistemim ideal për argjentinasin, i cili përmes menaxheres dhe bashkëshortes së tij ka shprehur dëshirën për të qëndruar te skuadra milaneze.
Lufta e nervave, shkruan “Tuttosport” ka nisur, tashmë pritet të kuptohet se cili do të jetë rezultati. Mediat italiane flasin dhe për një gjyq mes palëve, pas Icardi, nëse “Inter” nuk e bënë pjesë të projektit të tij, do të kërkojë prishjen e parakohshme të kontratës, duke e bërë kështu lojtarin një mundësi të artë për të gjitha skuadrat, pasi kosto e transferimit të tij do të ishte 0.






















