TIRANË, 27 qershor/ATSH/- Presidenca ka reaguar pas deklaratave të bëra nga Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Mathew Palmer.
I pyetur nga mediet lidhur me deklaratën e Palmer i cili tha për Zërin e Amerikës se “SHBA njeh 30 qershorin si datë zgjedhjesh”, presidenti ka reaguar nëpërmjet zëdhënësit të tij duke theksuar se “Presidenti i Republikës vlerëson deklaratën e përgjegjshme, të vëmendshme e njëkohësisht shqetësuese të Kryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme të Kongresit Amerikan, Eliot Engel, këtij miku të sprovuar të Shqipërisë”, ndërsa nuk përmendur zotin Palmer.
Deklarata zyrtare e presidencës:
Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi i pyetur nga mediet mbi deklaratat e bëra nga z. Palmer në VOA deklaroi se:
“Presidenti i Republikës vlerëson deklaratën e përgjegjshme, të vëmendshme e njëkohësisht shqetësuese të Kryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme të Kongresit Amerikan, Eliot Engel, këtij miku të sprovuar të Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve, mbi situatën e vështirë politike në Shqipëri dhe mbi rëndësinë imediate të rivendosjes së dialogut dhe shtetit të së drejtës.
Presidenti i Republikës siguron Kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Kongresit Amerikan, z. Eliot Engel dhe të gjithë miqtë e vërtetë të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se po bën dhe do të bëjë të gjitha përpjekjet që Shqipëria të mund të organizojë zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse, demokratike, me standarde, të lira dhe të ndershme, ashtu siç e meriton një vend i NATO-s dhe një vend që dëshiron të bëhet anëtar i Bashkimit Europian”.























