Përmeti dëshmi e transformimit të “Rilindjes Urbane”

TIRANË, 23 qershor /ATSH/- Alma Hoxha dhe Klemend Ndoni, dy kandidatët e Partisë Socialiste për kryetar bashkie respektivisht në Përmet dhe Këlcyrë, shprehën bindjen për realizimin e investimeve të reja në këto dy bashki, që siç thanë ata “janë e ardhmja e zhvillimit për t’i çuar punët përpara në shërbim të qytetarëve”.

Në takimin elektoral që u zhvillua të dielën në Përmet, ku merrte pjesë edhe Kryeministri i vendit Edi Rama, kandidati Klemend Ndoni, tha se “në sajë të investimeve që ka ndërmarrë qeveria në këto vite, bashkia Këlcyrë ka pësuar ndryshime rrënjësore si në drejtim të përmirësimit të jetës së qytetarëve por edhe në hapjen e perspektivave të reja të zhvillimit ekonomik social të zonës”.

Sipas tij, këto investime janë të prekshme sot nga të gjithë, që nga restaurimi rrugëve, ujësjellësit, fasadave të ndërtesave të vjetra etj. “Ndonëse ka ende, për të bërë akoma më shumë, për të mirën e vendit dhe të ardhmen e qytetarëve”, – tha Ndoni, i cili i ftoi qytetarët të votojnë më 30 qershor alternativën e Rilindjes, për të bërë ndarjen e politikës së vjetër me filozofinë e re të zhvillimit ekonomik të vendit.

E kemi detyrim moral tha ai, të tregojmë me votën tonë për PS-në, se ka ikur njëherë e mirë, koha e politikës së vjetër që ka mbajtur peng vendin drejt rrugës europiane. “Vetëm ne socialistët dimë të bëjmë shtet, dimë të bëjmë reforma që kanë ndryshuar vendin”, – deklaroi Ndoni.

Ndërsa kandidatja Hoxha, në fjalën e saj u shpreh e emocionuar dhe njëherazi krenare që ishte kandidate e zgjedhur e Partisë Socialiste për bashkinë Përmet, pasi siç tha ajo “PS është partia që ka treguar me vepra ndryshimin e zhvillimit”.

“Është privilegj për mua, tha Hoxha, që Përmeti për herë të parë i’u besua një gruaje dhe unë do t’i shërbej vendit tim, qytetarëve të mi me devotshmëri. Jam nënë e grua, pjesë e vlerave të këtij qyteti ndaj besoj fort se bashkë do të bëjmë më të mirën për qytetin tonë. Ju të gjithë jeni forca e kësaj sfide”, – tha Hoxha.

Ajo tha se Përmeti është dëshmi e transformimit të Programit të Rilindjes Urbane, ujësjellësit të ri, Programit “100 fshatrat”, apo investimeve në arsim, shëndetësi e kulturë. Ndërsa shprehu bindjen se vota në 30 qershor do të jetë për Partinë Socialiste, që është zëri qytetarëve, zëri Rilindjes Urbane dhe Rurale. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.