Ata do të treten nga frika e tyre, ne do të shpërblehemi nga e drejta jonë

TIRANË, 23 Qershor /ATSH/ – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Përmeti, ku mori pjesë në takimin elektoral se rrëmujat dëmtojnë ekonominë dhe turizmin

Rama kishte një mesazh edhe për demokratin më ekstremist, por që ama jeton me punë të ndershme.

“Ky është mesazhi im edhe për demokratin më ekstremist të Përmetit po jo demokratin që ushqehet me përsheshin e  SHQUP-it, po demokrat që çohet në mëngjes, hap dyqanin. Çohet në mëngjes dhe punon tokën. Çohet në mëngjes edhe merr turistët me kuaj dhe që në darkë çon fitimet e punës së vet. Për atë demokrat e kam fjalën. Ai lloj demokrati është në të drejtën e vet që të mos ta dojë qeverinë. Që të dojë që unë të iki sot jo nesër. Por është  në të drejtën e vet. Ama kurrë nuk duhet ta pranojë që të digjet ky vend. Kurrë nuk duhet ta pranojë që turistët të anulojnë rezervimet”, tha Rama.

“Isha tek hotel Çajupi mbrëmë dhe sot në mëngjes ma tregoi ai, ja ku janë, 6 grupe shkruanin për arsye të pasigurisë politike në Shqipëri me keqardhje anulojmë rezervimin. Tani unë nuk e di çfarë është ai i hotel Çajupi, demokrat apo socialist, por njerëzit e punës nuk janë të ndarë. Në politike janë të ndarë kush është me punën është socialistë. Kush me pisllëkun është demokrat, por në politikë. Kurse në popull nuk janë të ndarë. Shqipëria nuk është e ndarë mes demokratësh dhe socialistësh në popull është e ndarë mes njerëzish të punës dhe demblehanesh që presin t’ju vijë nga qielli edhe puna edhe të ardhurat. Dhe ne të gjithë duhet të jemi bashkë. Sepse çdo demokratë që ka një punë ka nevojë për klientë. Ka nevojë për qetësi në punën e tij dhe ka nevojë për një ekonomi që rritet për të gjithë. Ato luftërat që bëhen atje në Tiranë si bëjnë dot gjë qeverisë, por ja godasin turistët, klientët, ekonominë, godasin edhe demokratin më ekstremistë që jeton me punën e vet, sepse i godasin punën”, u shpreh Kryeministri.

Dhe kjo, theksoi Rama, “është gjëja që duhet të kuptohet për 30 qershor. S’është puna kush do të jetë kryetar bashkie, patjetër vota duhet për të pasur kryetarin e bashkisë. Por është puna çfarë Shqipërie do të kemi pas 30 qershorit. Do të kemi një Shqipëri ku se merr vesh i pari të dytin? Apo do të kemi një Shqipëri ku përfundimisht u thuhet politikanëve që kush mendon se është mbi ligjin e ha? S’ka asnjë shans të fitojë”.

Ata, tha Kryeministri, “bëjnë si të fortë kërcënojnë dhe ulërasin sepse duan të trembin frikën e tyre. Janë shumë të trembur dhe i bërtasin frikës së tyre. Si tek filmi Beni ecën vetë, e keni parë Benin i ngre zërin kur kalon në pyll në errësirë dhe këndon. Kështu janë dhe ata. Bërtasin nga frika e tyre dhe duan të mbjellin frikë tek njerëzit. Mbaheni mend çfarë po ju them nga ajo frikë ata do të treten.

“Nuk jemi më të mirët e imagjinueshëm, po ku ka më të mirë se ne, më thoni. Më të mirë se ne ky vend nuk ka dhe nuk do të ketë me sa duket për disa vjet. Ama në fund të ditës edhe gabimet që kemi bërë nuk i kemi bërë me qëllim të keq. Edhe punët që s’i kemi bërë mirë nuk kanë qenë rezultat i qëllimeve të këqija. E drejta është themelore në çdo marrëdhënie, në çdo betejë, çdo konflikt. Kur je me të drejtën s’duhet të bësh asnjë milimetër mbrapa. Dhe ne jemi me të drejtën. Dhe kush është me të drejtën mundohet, edhe rrëzohet, edhe ringrihet, edhe vazhdon, edhe vrapon, edhe bie, edhe ngrihet, ama shpërblehet nga e drejta. Ata do të treten nga frika e tyre ne do të shpërblehemi nga e drejta jonë”.  /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.