IPARD II, thirrja e dytë hapet në muajin korrik

TIRANË, 23 qershor /ATSH/- Këtë vit fermerët krahas fondit nga skemat kombëtare 2019, përfitojnë financim edhe nga programi IPARD II, thirrja e dytë e të cilit pritet të hapet në muajin korrik.

Drejtoresha e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor Rural, Frida Krifca, tha për ATSH-në se,  ashtu sikurse në thirrjen e parë, përveç dokumentit të identifikimit, kriter kryesor është që aplikantët të kenë NIPT-in e fermerit aktiv.

Aplikimet për të përfituar nga këto fondet, kryhen online në 20 agropika, 16 Agjenci Rajonale të Ekstensionit Bujqësor edhe përmes platformës e-Albania, duke u ofruar fermerëve një shërbim cilësor, në kohë dhe pa kosto.

Nga viti në vit, tha Krifca, ne po bëjmë mbështetjen me fonde një realitet të prekshëm për të gjithë fermerët dhe agrobizneset nëpërmjet financimeve direkte. Shtimi i fondeve nga qeveria përmes programeve kombëtare dhe IPARD, për sektorin rural, ka rritur interesin për aplikime të reja, nënvizoi Drejtoresha e AZHBR-së.

Këtë vit, tha ajo, duke iu referuar mbështetjes së Skemës Kombëtare 2019, masa e dorëzimit të qumështit shikohet me interes të lartë në zonat blegtorale dhe fermerët e këtyre qarqeve kanë aplikuar masivisht për të përfituar nga kjo skemë. /e.xh./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.