TIRANË, 20 qershor/ATSH/ – Propozimet për ndryshime në Kodin Penal që lidhen me sigurinë ushqimore parashikojnë deri në 15 vite burg për mashtruesit e shëndetit të njerëzve.
Kryeministri Edi Rama deklaroi nga foltorja e Kuvendit se dënimet do të ashpërsohen.
“Një aspekt tjetër është ai i sigurisë ushqimore. Boll më pasiguri dhe me lloj-lloj mashtruesish që luajnë me shëndetin e njerëzve. Dënimet janë goxha dhe nëse do të ketë ende njerëz që për të shitur margarinë me vaj palme të maskuar si gjalp do të pranojnë të bëjnë 15 vjet burg, atëherë Kodi Penal ja plotëson këtë nevojë”, – tha Kryeministri.
Ndër të tjera Rama përmendi edhe propozimet për ndryshime në legjislacion që lidhen me mbrojtjen e kafshëve.
“Janë 37 mijë qytetarë të të gjithë moshave që e kanë propozuar ndërhyrje në legjislacion, mbrojtjen e kafshëve nga kafshët. Kafshët me katër këmbë nga kafshët këmbësore. Kemi parë në vazhdimësi akte barbare të kafshëve me dy duar e me dy këmbë ndaj kafshëve me katër këmbë. Ka ardhur koha të marrin në mbrojtje ata me 4 këmbë kundër këtyre me dy duar e dy këmbë”, – sqaroi Kryeministri. z.tosku/ /a.g/























