TIRANË, 14 qershor /ATSH/ – “Datën 30 nuk e luan as topi”, deklaroi sot Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi.
“Kemi ndërmend të bëjmë atë që është përcaktuar konform ligjit dhe do të dëshmojmë se cilët janë shqiptarët. Dhe nuk janë ato që mendojnë PD, LSI dhe Ilir Meta”, tha Shalsi në një intervistë televizive.
“Ilir Meta nuk e meriton të jetë më president. Do të ishte mirë që ai të ishte tërhequr dhe të bashkohej me opozitën. Shqipëria ka nevojë për një president që bashkon, jo një që luan rol përçarës”, u shpreh Shalsi.
Lidhur me kërkesë që presidenti Meta i bëri sot KQZ ku kërkonte shpjegime rreth numrit të deputetëve të Kuvendit, Shalsi tha se ai nuk i ka dhënë ende përgjigje pyetjes se në cilën anë është, në atë të opozitës apo presidencës.
“Nuk i ka dhënë ende përgjigje pyetjes. Sot e kësaj dite përpara çdo shqiptari që shtron pyetjen Meta është me të shoqen apo me institucioni që ai përfaqëson. Ai nuk arriti të ngrihet në nivelin e presidentin. Ne një kohë ku vendi ishte nevojë për një presidenti të urtë e të mençur nuk arriti të sillej në një mënyrë siç duhej. Objektivi i tyre është shumë i qartë. Ai duhet të dilte të thoshte unë i përkas opozitës. Në fakt shqiptarët e dinë se ai është pjesë e opozitës”, – tha ministri.
Shalsi u shpreh gjithashtu se ka zhvillime të reja sa i përket drejtësisë, duke iu referuar thirrjes në Prokurori të kreut të PD, Lulzim Basha.
“Por kemi dhe zhvillime të reja. Dje mora vesh që kreu i opozitës ishte thirrur në Prokurori për një çështje që ka interes. Dhe mesa duket është thirrur si i pandehur. Duhet të japë llogari për paratë për lobingun rus. Nga ana tjetër e dinë mjaft mirë krerët e opozitës që reforma në drejtësi po merr formë. Po ngrihen institucionet e reja dhe do të përballen me drejtësinë e re dhe po bëjnë çmos për të krijuar një anormalitet, por harrojnë që shqiptarët janë të mençur. I besojnë veprave dhe dalin në opozitë në 2017. Pra të trembur nga drejtësia dhe të pafuqishëm, të pashpresë mendojnë se mund të ndjekin rrugën e kaosit dhe të çorodisin shqiptarët”, – tha Shalsi.
Ministri Shalsi u shpreh se, “s’janë të papritura këto qëndrime të krerëve të opozitës”, por theksoi ai, “ne kemi me vete të drejtën dhe e keni parë sa masive kanë qenë takimet tona elektorale dhe sesi ka ardhur duke u tkurrur numri i protestuesve, për shkak dhe të incidenteve të ndodhura gjatë protestave”.
Shalsi nënvizoi se, “edhe qëndrimet e partnerëve ndërkombëtarë SHBA dhe BE janë njëzëri në mbështetje të forcës së ligjit dhe zhvillimit të zgjedhjeve në datën 30″.
Ndërkohë ai i cilësoi si “patetike deklaratat e PD në adresë të disa figurave të shquara europiane”.
/gj.mima/ /a.g/























