Ballina Flash

“Pakti për Universitetin”, çelen aplikimet për kërkimin shkencor

TIRANË, 13 qershor/ATSH/ – Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit ka çelur aplikimet për projekte infrastrukturore të kërkimit shkencorë në kuadër të “Paktit për Universitetin”.

Fakulteti i Histori-Filologjisë në Universitetin e Tiranës bën të ditur se në këtë thirrje do të mbështeten financiarisht projektpropozime nga institucionet e arsimit të lartë, të cilat plotësojnë komponentët e kërkimit shkencor dhe zhvillimit të infrastrukturës kërkimore akademike (laboratorike).

Në projekte infrastrukturore të kërkimit shkencorë përfshihen pajisje apo investime laboratorike, sisteme kompjuterike, informatike etj.

“Projekt propozimet inovative në fushat e teknologjisë së informacionit, inxhinierike, mjekësore, bujqësore dhe ato të shkencave të natyrës si dhe ato projekt propozime të cilat plotësojnë kushtet e VKM nr.188, datë 13.03.2019, “Për ofrimin nga institucionet publike të arsimit të lartë të shërbimeve, në përputhje me veprimtarinë e tyre, për institucionet e qeverisjes vendore dhe institucionet në varësi të tyre”, janë prioritare”, thuhet në thirrjen e çelur.

Projektet e propozuara synojnë arritjen e objektivave të kërkimeve shkencore, dhe angazhimet e “Paktit për Universitetin”. Gjithashtu do të vlerësohet edhe kontributi i këtyre projekteve në përputhje me politikat, strategjitë, misionet dhe vizionet e institucione të arsimit të lartë. /z.tosku/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Trump dhe Duda marrëveshje për rritjen e pranisë ushtarake amerikane në vend
Artikulli tjetërHaradinaj: Të motivohemi për të punuar duke kujtuar të kaluarën e lavdishme