TIRANË, 12 qershor /ATSH/ – Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi gjatë një takimi me sipërmarrës të biznesit, në zonën muzeale të qytetit të Gjirokastrës, theksoi se, “shtrirja e turizmit gjithëvjetor ndihmon ekonomi dhe shtimin e vendeve të punës në të gjithë Shqipërinë”.
“Një diskutim me vlerë ai që patëm në Gjirokastër me operatorë të biznesit në zonën muzeale. Ata janë aktorë të rëndësishëm për zhvillimin më tej të sektorit të turizmit. Ndërsa sfida jonë mbetet të zgjasim sezonin turistik gjatë gjithë vitit pasi janë të gjitha potencialet”, u shpreh Çuçi.
Sipas tij, kjo vjen nëse përmirësojmë shërbimet dhe diversifikojmë ofertën turistike.
Ministri Çuçi u shpreh besim plotë se me Flamurin kryebashkiak dhe me mbështetjen e qeverisë do të adresohen si duhet të gjitha çështjet që lidhen me zhvillimin e turizmit dhe specifikisht me këtë grup interesi.
“Nga viti në vit Gjirokastra po kthehet në një pol të rëndësishëm të turizmit në jug të vendit. Duhet të bëjmë gjithçka që ky sektor të rritet më tej. Në këtë mënyrë ndihmojmë ekonominë e qytetit, shtojmë vendet e punës”, – tha ministri Çuçi.
e.xh/












