TIRANË, 7 qershor/ATSH/ “Këshilli bashkiak i Tiranës miratoi sot 20 vendime pa diskutim dhe pa debat”, deklaroi sot përfaqësuesi i Partisë Demokratike në këtë këshill, Kreshnik Çollaku.
Sipas Çollakut, “asnjë këshilltar nuk ka mundur t’i lexojë vendimet, pasi janë miratuar më shumë se 20 vendime në vetëm 12 minuta”.
“Asnjë këshilltar nuk ka mundësinë as t’i lexojë titujt e vendimeve që ka votuar, dhe aq më pak t’i diskutojë apo debatojë ato. Kjo është tragjike dhe një fyerje e madhe për qytetin e Tiranës dhe qytetarët e tij”, tha ai.
Çollaku tha se “Partia Demokratike dhe këshilltarët e saj, bashkë me opozitën e bashkuar në këshillin bashkiak kanë luftuar çdo ditë për të justifikuar këtë votë, për të mos lejuar të ngrihen taksat, të varfërohet qyteti e të vështirësohet jetesa”.
“Bashkia e Tiranës prej katër vitesh ka shtuar varfërinë, papunësinë në sajë të taksave dhe korrupsionit. Qytetarët e Tiranës janë gati ta ndëshkojnë me votë Erjon Veliajn”, tha Çollaku. /m.m/ /a.g/























