TIRANË, 31 maj /ATSH/ – Indeksi i shëndetit bankar në vend është në përmirësim të konsoliduar.
Banka e Shqipërisë në një vlerësim të përgjithshëm të kushteve bazë dhe faktorëve të rrezikut që ndikojnë në stabilitetin e sektorit bankar dhe atë të bankave individuale, ka parashtruar që pesë tregues: kapitali, cilësia e aktiveve, përfitueshmëria, likuiditeti dhe eficienca, në fund të vitit 2018, shënojnë nivele të kënaqshme.
Treguesit përbërës të indeksit, të cilët kanë shfaqur shëndet më të mirë vitin e fundit janë kapitalizimi, cilësia e aktiveve dhe likuiditeti. Si peshë, kontributin kryesor në rrezik vijon ta japë cilësia e aktiveve. Dy treguesit e tjerë, përfitueshmëria dhe eficienca, janë rritur lehtë.
Sipas përmasave, bankat më të mëdha kanë vlerë më të ulët të indeksit, që nënkupton një gjendje më të shëndetshme dhe rrezik më të ulët. Në këtë grup përfshihen katër bankat që kanë më shumë se 7% pjesë tregu, e matur sipas totalit të aktiveve. /e.xh/j.p/












