MADRID, 30 maj /ATSH-ANSA/ – Mjaftoi një konferencë për shtyp për të mbyllur të gjitha zërat që shpreheshin se Sergio Ramos ishte në prag të largimit nga “Real Madrid”.
Në fakt, kapiteni i madrilenëve i mbyll gojën të gjithëve: “Nuk dua të largohem nga Real Madrid, dua ta mbyll këtu karrierën time. Do të luaj edhe falas. Dhe ditën që do të largohem, do të jetë si fitimtar duke dalë nga porta kryesore sepse mendoj që e meritoj”.
Ramos theksoi se “ka pasur gjëra që më kanë shkaktuar dyshime dhe që më kanë plagosur dhe për këtë kërkova të flas me Florentino Perez. Oferta e Kinës është në tavolinë dhe do e kisha vlerësuar nëse njëra nga palët nuk do të respektonte angazhimet”.
“Më bezdis fakti që largohem nga Spanja një javë dhe kur kthehem gjej gjithë këtë rrëmujë. U bë shumë kohë që nuk flas me Perez për kontratën time, nuk është një strategji. Por kjo është një çështje minimale sepse kam për qëllim të mbyll këtu karrierën time. Nuk do të shkoja kurrë të luaja në një klub që është konkurrent i Realit”, përfundoi veterani madrilen. /G.S/












