TIRANË, 28 maj/ATSH-Maela Marini/ “Modernizimi i sistemit të funksionimit të shtetit në sektorin e shëndetësisë nuk është një fjalë goje por një proces që kërkon vitet e veta, por ne kemi sot të gjitha bazat e këtij modernizimi”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të portalit “Mjekë për Shqipërinë”.
Kryeministri iu referua projektit E-Learning & Blockchain, ku për herë të parë në Shqipëri ofrohet një hub i ri teknologjik me ide të reja përmes inovacionit.
“Kjo siguron edukimin e detyruar në vazhdim të çdo mjeku me shumë më tepër cilësi, me programe ndërkombëtarisht të akredituara, dhe të certifikuara të cilësisë më të lartë. Nuk do të ketë më hile e gënjeshtra për marrjen e atyre krediteve, sepse nëse nuk ndjek gjithë programin, programi të nxjerr ngelës. Sistemi vetë të jep të gjitha kreditet”, – tha Rama.
Një tjetër arritje sipas tij, “është biblioteka dixhitale ku universitetet në tërësi ka në dispozicion një mori titujsh, librash dhe punimesh shkencore të panumërta”.
“Për të ndryshuar një regjim mund të mjaftojnë edhe disa ditë, por për të ndërtuar një sistem të ri duhen vite. Krijimi i këtyre sistemeve na jep mundësi të modernizojmë burimet njerëzore dhe të rrisim cilësinë e kapitalit tonë njerëzor”, – tha Rama.
Në të njëjtën linjë, sipas Ramës, qëndron edhe punësimi i studentëve ekselentë, ku deri tani janë rekrutuar dhe punojnë në administratë 373 studentët e parë sipas fushave. /j.p/























