Përkujtohet Dëshmori i Atdheut, Astrit Suli

TIRANË, 27 maj /ATSH/ – Në 20-vjetorin e rënies së Dëshmorit të Atdheut Astrit Suli, në betejën e ashpër që formacionet e UÇK-së zhvilluan me forcat serbe në Operacionin “Shigjeta” në Gorozhup e Pashtrik të Hasit, u zhvilluan sot homazhe ku u vendosën kurora lulesh tek varri dhe shtatorja e Astrit Sulit.

Të pranishëm në këtë ceremoni përkujtimore ishte i ngarkuari me punë në Ambasadën e Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini, kryetari i bashkisë së Kuçovës, Selfo Kapllani, zëvendësprefekti i Prefekturës së Kuçovës, deputetë të Kuvendit të Kosovës, veteranë të UÇK-së.

Astrit Suli ishte vetëm 23 vjeç kur braktisi punën në Greqi për t’ju bashkuar luftës çlirimtare të Kosovës. Gjatë kësaj ceremonie përkujtimore për dëshmorin e kombit vizituan edhe familjarët e tij në Kuçovë, të cilët ndjehen krenarë dhe të vlerësuar për sakrificën e Astrit Sulit sa herë vijnë vizitorë nga të gjitha trojet shqiptare për ta nderuar e kujtuar veprën dhe heroizmin e birit të tyre, që tashmë ka hyrë në panteonin e heronjve të kombit shqiptar.

Në fjalë tij i ngarkuari me punë në Ambasadën e Kosovës, Sylë Ukshini vuri në dukje se ”sakrifica e Astritit nga Kuçova dhe e bashkëluftëtarëve të tjerë nga Shqipëria, është dëshmia më sinjifikative se liria dhe pavarësia e Kosovës, ishte projekt dhe kontribut i gjithë shqiptarëve, ishte vazhdimësi e përpjekjeve tona kombëtare që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Akti heroik i Astritit përmban vlera edhe më të mëdha se trimëria e tij, përmban idealin e përjetshëm të dashurisë dhe lirisë së Kombit të tij. Dhe ishte pikërisht lufta e madhe e Kosovës që përshpejtoi intervenimit (ndërhyrjen) ushtarak të NATO-s nën drejtimin e e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kosova do t’i jetë mirënjohës përjetësisht për këtë rol dhe kontribut shqiptarëve të Shqipërisë, Diasporës, si dhe të aleatëve tanë strategjikë perëndimorë për lirinë dhe pavarësinë tonë. Lavdi heroit Astrit Suli!”, shprehet ai.

/m.z/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.