Avramopoulos: Për BE-në, Shqipëria është pjesë e saj

TIRANË, 21 maj /ATSH/ – Për Bashkimin Europian Shqipëria është më tepër sesa një fqinj.

Kështu u shpreh komisioneri Dimitris Avramopoulos gjatë konferencës për shtyp së bashku me kryeministrin e vendit, Edi Rama dhe drejtorin ekzekutiv të FRONTEX.

“Ky bashkëpunim më i fortë do të na bëjë të mundur që të reagojmë më shpejt nëse është e nevojshme dhe në të njëjtën kohë do të trajtojmë lëvizjet migratore bashkërisht. Kjo do të japë edhe vlerë të shtuar kundër krimit ndërkufitar dhe kontrabandimit të migrantëve në të gjithë rajonin. Për Bashkimin Europian Shqipëria është më tepër sesa një fqinj. Shqipëria është pjesë e familjes Europiane, në aspektin historik dhe ky kre i ri në bashkëpunimin tonë është një pikë kthese sesi e menaxhojmë migracionin dhe kufijtë bashkërisht”, – theksoi ai.

Komisionerin Dimitris Avramopoulos e cilësoi hap historik nisjen e operacionit ndërkombëtar në Shqipëri. “Më besoni që ky është hap historik. Është hapi i parë që Agjencia Europiane e kufirit dhe rojes bregdetare vendoset ne një vend jo të Bashkimit Europian. Ku flitet për menaxhimin dhe mbrojtje e kufijve tanë, sfidat janë të përbashkëta”, u shpreh Avramopoulos. Ai  tha se misioni i FRONTEX në Shqipëri, është një etapë e re e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe BE-së. Ndërkaq, komisioneri Avramopoulos përgëzoi autoritetet shqiptare për këtë arritje të rëndësishme.

“Kjo është realizuar në kuadrin  e besimit të ndërsjellë për të arritur këtë gjë kaq shumë të rëndësishme. Kjo është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë dhe Bashkimin Europian. Kjo hap hap dyert për një bashkëpunim më të ngushtë më të gjithë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor”, – përfundoi ai. /z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.