Major Tanushi përcillet nga kolegët e tij të grupbatalionit të NATO-s në Letoni

TIRANË, 15 maj /ATSH- A. Fortuzi/ – Komandanti i kontingjentit shqiptar në Letoni, major Klodian Tanushi, i rënë në krye të detyrës në misionin e NATO-s në vendin baltik, u përcoll me nderimet më të larta ushtarake nga kolegët e tij.

Efektivë të nëntë vendeve pjesëmarrëse në misionin “Enhanced Forward Presence”, përfshirë Letoninë, përcollën në aeroportin e Rigës arkivolin e mbuluar me flamurin kombëtar, me trupin e major Tanushit, i cili do të transportohet me avion ushtarak në atdhe.

Trupi i major Tanushit pritet të mbërrijë në aeroportin “Nënë Tereza” ditën e mërkurë, ora 12:45, ku do të pritet me nderime ushtarake, përpara se të dërgohet pranë familjes.
Homazhet për komandantin e kontingjentit shqiptar në Letoni, do të zhvillohen ditën e enjte në Muzeun Historik Kombëtar nga ora 10:00 – 12:00.

Pas kryerjes së homazheve dhe ceremonisë shtetërore, major Tanushit do t’i jepet lamtumira e fundit në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku do të prehet përjetësisht. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.