Ballina Aktualitet

Protesta e opozitës, Policia: 22 të proceduar për dhunë ndaj efektivëve

TIRANË, 14 maj/ATSH-A. Fortuzi/- Policia e Tiranës ka njoftuar se ka proceduar 22 persona për aktet e dhunës ditën e hënë gjatë protestës së Partisë Demokratike dhe aleatëve.

Sipas njoftimit të policisë, mes 22 të proceduarve ka dhe 7 të arrestuar.

“Në datë 13 maj 2019, rreth orës 18:30 subjektet politike Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë zhvilluar tubim në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë, DPPSH, Parlamentit, Ministrisë së Brendshme dhe më pas tek Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë”, njofton Policia.

“Gjatë zhvillimit të tubimit si para Kryeministrisë dhe më pas pranë DPPSH, Parlamentit, Ministrisë së Brendshme si dhe tek Drejtoria Vendore e Policisë, pjesëmarrësit në tubim kanë kundërshtuar, goditur me mjete të forta, fishekzjarre, tymuese dhe sidomos tek DPPSH dhe DVP me kapsolla, punonjësit e Policisë, të cilët kanë qenë të planizuar me shërbim”, vijon njoftimi.

“Nga goditjet, kundërshtimet dhe përdorimi i lëndëve piroteknike, sendeve të forta kanë mbetur të plagosur 3 punonjës të Policisë, të cilët morën ndihmën e parë pranë spitalit të Traumës dhe SQU”, theksohet në njoftim.

“Në të gjitha ambientet e përmendura protestuesit si pasojë e përdorimit të fishekzjarrëve, kapsollave e sendeve të tjera kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Bazuar në prova, pamje filmike, raporte shërbimi u arrestuan në flagrancë 7 persona, për kryerjen e veprave penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimit të pronës me zjarr” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, bëhet me dije në njoftim.

“Janë proceduar gjithashtu në gjendje të lirë edhe 15 persona të tjerë për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe ”Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”. Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar për kryerjen e veprimeve të kundra ligjshme në këtë protestë të dhunshme. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme”, përfundon njoftimi. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVeliaj: Tirana nuk do t’i përkulet urrejtjes dhe dhunës. Qyteti ynë është i fortë dhe progresiv
Artikulli tjetër​Haradinaj takim me rektorin dhe dekanët e UP-së