TIRANË, 13 maj /ATSH/ – SHBA dhe deputetë të Bashkimit Europian u kërkuan sot partive të opozitës shqiptare që të tregonin vetëpërmbajtje gjatë protestave të tyre kundër qeverisë, shkruan gazeta amerikane ”The Washington Post”.
Protestat gjatë kësaj fundjave u bënë të dhunshme, me mbështetësit e opozitës që godisnin oficerët e policisë me fishekzjarrë ndërsa policia u përgjigj me gaz lotsjellës. Në të dyja anët pati të plagosur.
Kryeministri socialist, Edi Rama dënoi sjelljen e dhunshme të protestuesve, duke thënë “Shqipëria u dëmtua”.
Opozita ka zhvilluar protesta që prej mesit të shkurtit, duke akuzuar zyrtarët e qeverisë për korrupsion dhe vjedhje të votës në zgjedhjet parlamentare dy vite më parë. Ata kërkojnë një qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme.
Deputetët e opozitës dhanë dorëheqjen nga postet e tyre në Parlament në formë proteste, ndonëse një pjesë e vendeve bosh janë mbushur nga kandidatë të tjerë të opozitës. Partia Socialiste në pushtet ka 74 deputetë nga 140.
Në një deklaratë të ambasadës së SHBA në Tiranë u bëhej thirrje udhëheqësve të opozitës që të dënonin dhunën dhe “të siguronin që të gjitha protestat e ardhshme të ishin të rregullta dhe paqësore”.
“Protestat e dhunshme po dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për reforma demokratike dhe perspektivën e vendit për të bërë përpara në rrugën drejt Bashkimit Europian”, thuhej në këtë deklaratë ku më tej kërkohej ”angazhimi në një dialog konstruktiv që synon t’i japë fund bllokimit politik”.
Parlamentarët europianë gjithashtu u bënë thirrje shqiptarëve “të ndalojnë nga të gjitha format e dhunës”.
Shqipëria pret në qershor që Bashkimi Europian t’i hapë dritën e gjelbër kërkesës së saj për të nisur negociatat e plota të anëtarësimit.
Kërkesa e SHBA dhe BE u pasqyrua edhe nga medie të tjera prestigjioze amerikane si Associated Press, Fox News apo edhe ajo kanadeze si City News Vancouver shtuar këtu edhe China Post./ /g.s/ a.jor.






















