Ballina Ekonomi

Ritme të larta pune në rrugën Burrel-Klos

TIRANË, 11 maj/ATSH/- Në rrugën Burrel-Klos, një nyje e rëndësishme për ekonominë e vendit, që lidh minierat e Bulqizës me uzinën e Ferrokromit dhe Portin e Durrësit po vijojnë me ritme të larta punimet për rehabilitimin e saj.

Autoriteti Rrugor Shqiptar po vazhdon punën me intensitet të lartë në segmentin Burrel-Klos. Aktualisht po punohet me tre grupe pune të përqendruara në rehabilitimin e kësaj rruge.

“Dy grupe pune me ekskavatorë, rrula dhe makineri të tjera janë duke punuar me gërmimet dhe ndërtimin e nënshtresave rrugore me çakëll dhe stabilizantë, ndërsa një grup tjetër pune po punon me shtresat asfaltike në mënyrë që rehabilitimi të përfundojë në kohë rekord”, thekson ARRSH.

Rreth 100 mijë banorë që lëvizin në këtë rrugë, do të kenë këtë vit një rrugë me standarde bashkëkohore.

Investimi në segmentin me gjatësi 18,6 km do të jetë në vlerën e 3.7 milionë euro, në kuadër të programit të qeverisë shqiptare për mirëmbajtjen e rrugëve.

E shkatërruar dhe e braktisur prej dekadash, në këtë rrugë po bëhet një rikonstruksion i thellë i saj, ku përfshihet realizimi i të gjitha shtresave të reja, asfaltime në të gjithë gjatësinë e rrugës, vendosja e sinjalistikës rrugore, masave të sigurisë rrugore, etj.

Rehabilitimi i thellë i kësaj rruge me parametra bashkëkohore parashikohet të përfundohet brenda këtij viti.

Në këtë segment ka mbi 20 vjet që nuk është bërë asnjë investim serioz dhe për herë të parë po bëhet një rikonstruksion i plotë i gjithë kësaj rruge. /k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakEkspozita për Aleksandër Moisiun në Korçë, 44 foto të aktorit që tronditi skenat e botës
Artikulli tjetërOperacioni antidrogë “BISTRICA 2019”, shkon në 13 numri i të arrestuarve