Platforma e integruar, rrit transparencën buxhetore dhe llogaridhënien e qeverisë ndaj publikut

TIRANË, 10 maj /ATSH/ – Vënia në funksion, në fillim të muajit Korrik 2019, e Sistemit të ri Informatik të Menaxhimit Financiar të Qeverisë, kurorëzon me sukses punën e gjatë të Ministrisë së Financave dhe të Ekonomisë (MFE) në bashkëpunim me Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bashkimin Europian (BE) dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për përmirësimin e procesit të buxhetimit.

Për këtë qëllim, MFE po realizon gjatë muajit maj një cikël trajnimesh të rreth 250 punonjësve të ministrive të linjës dhe institucioneve buxhetore qendrore për prezantimin dhe përdorimin e këtij sistemi, i cili do të mundësojë menaxhimin në një platformë të integruar të disa proceseve kyçe të ciklit të menaxhimit të shpenzimeve publike, dhe një gamë të gjerë informacionesh të dobishme jo vetëm për përdoruesit e buxhetit por edhe për publikun e gjerë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë bën të ditur se ajo çfarë synojmë është rritja e nivelit të transparencës buxhetore si dhe më tej nivelit të përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së qeverisë ndaj publikut.

e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.