Ballina Aktualitet

Misionet e FA jashtë vendit me partnerët strategjikë

TIRANË, 6 maj/ATSH/- Në kuadër të angazhimeve politike të Republikës së Shqipërisë, në luftë kundër terrorizmit, Forcat e Armatosura janë angazhuar dhe marrin pjesë aktive në operacione ndërkombëtare, në misione të ndryshme jashtë vendit.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se “këto misione kryhen si pjesë e pandarë e operacioneve të drejtuara nga NATO, BE, OKB dhe koalicionet e përbashkëta të partnerëve tanë strategjike”.

Letoni

Duke filluar nga qershori i viti 2017, FARSH janë angazhuar më një togë EOD, (Explosive Ordance Disposal) si pjesë e grupbatalionit kanadez të Prezencës së Përparuar të Përforcuar të NATO (eFP, enhanced Forward Presence) në Letoni.

Kontingjentet shqiptare në këtë grup-batalion përbëhen nga 18-23 ushtarakë, të cilët ndërrohen çdo 6 muaj. Që prej qershorit të vitit 2017, në grupbatalionin e NATO-s në Letoni, kanë shërbyer 4 kontingjente shqiptare, ndërkohë që kontingjenti aktual është nisur në dhjetor të vitit 2018 për të shërbyer përreth 6 muaj.

Afganistan

Që prej vitit 2002, Forcat e Armatosura shërbejnë edhe në misionet e NATO-s në Afganistan. Aktualisht kontingjentet shqiptare shërbejnë në misionin Resolute Support dhe janë të dislokuar në Kabul dhe Herat. Gjithashtu, ushtarakët shqiptarë shërbejnë edhe në shtabe të ndryshme në Kabul, Herat dhe Mazar-e-Sharif.

Deti Egje

Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë janë të angazhuara në operacionin ushtarak të NATO “Sea Guardian”, në nëntor 2016, në detin Egje me 1 anije e klasit “Iliria” dhe një ekuipazh prej 21 ushtarakësh.

Misioni, është kryerja e patrullimit detar në përbërje të grupit të gatshëm të anijeve të NATO, Standing NATO Maritime Group 2 (SNMG2), në detin Egje, në kuadër të operacionit të NATO.

Kosovë

Që prej anëtarësimit të Shqipërisë në NATO 10 vjet më parë, trupat shqiptarë shërbejnë në KFOR, në operacionin e drejtuar nga Aleanca në Kosovë. Ushtarakët shqiptarë në Kosovë shërbejnë në shtabin KFOR, ndërkohë që është i angazhuar edhe një grup zbulimi HUMINT (Human Intelligence). Nga viti 2017 FARSH është e angazhuar në këtë operacion edhe me një grup special.

EUTM Mali

Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë u angazhuan në operacionin ushtarak të Bashkimit Europian (EUTM Mali), në nëntor 2016, në Republikën e Malit, Afrikë. Misioni i ushtarakëve, që marrin pjesë në këtë operacion, është mbështetja dhe dhënia e kontributit në funksione të ndryshme EOD. Misioni ka rol trajnues dhe kontingjenti i FARSH është pjesë e grupit EOD, në mbështetje të Kompanisë së Ruajtjes së Bazës në Qendrën e Trajnimit në Koulikoro, në Republikën e Malit.

Sudani i Jugut

Që prej prillit të vitit 2019, Shqipëria përfaqësohet edhe në misionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Sudanin e Jugut./k.s/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSejko: Rritja e punësimit dhe e pagave, ka forcuar presionet e brendshme inflacioniste
Artikulli tjetërPaketë e re me ndëshkime penale për falsifikatorët e produkteve ushqimore