Lleshaj: Respekt e mirënjohje të përjetshme për rojat e sigurisë tonë

TIRANË, 6 maj/ATSH/- Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i shprehu sot ngushëllimet familjes së nëntetares Zarife Hasanaj, që humbi jetën si pasojë e shpërthimit të disa municioneve të paplasura gjatë kryerjes së detyrës në bazën e NATO-s në Letoni.

Lleshaj shprehet se “shpreh ngushëllimet e mija për familjarët e nëntetare Zarife Hasanaj dhe uroj shërim të shpejtë për dy kolegët e saj, major Klodian Tanushi dhe rreshter Julian Kapaj”.

“Ngjarja e sotme në Letoni thërret çdo shqiptar për respekt e mirënjohje të përjetshme për rojet e sigurisë tonë”, – tha Lleshaj.

Nëntetarja Hasanaj humbi jetën si pasojë e shpërthimit të disa municioneve të paplasura gjatë kryerjes së detyrës në bazën e NATO-s në Letoni, ku po zhvillohej stërvitja ushtarake e një prej aleatëve. Nga ky shpërthim mbetën të plagosur edhe komandanti i kontigjentit, major Klodian Nikolla Tanushi dhe rreshter Julian Xhevat Kapaj./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.