TIRANË, 5 maj /ATSH/ – Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar homazhe pranë Monumentit “Nëna Shqipëri” si dhe pranë vendit ku prehet Heroi i Demokracisë, Azem Hajdari.
“Është një ditë reflektimi për t’u bashkuar për të mbrojtur lirinë dhe vlerat e saj, të vetëdijshëm se për lirinë shkohet në betejë çdo ditë. Përulemi me respekt përpara dëshmorëve të Luftës Antifashiste. Kujtojmë sot me dhimbje të madhe të gjithë ata që, pasi sakrifikuan për lirinë kombëtare, ranë fli e kthetrave të diktaturës gjakatare që shkatërroi, përdhunoi dhe vrau lirinë e qindra familjeve shqiptare”, – tha Basha.
“Përulemi sot para bijve të Shqipërisë, Kosovës, shqiptarëve të Maqedonisë dhe Preshevës që luftuan në luftërat e fundit çlirimtare. Sot është po kështu një ditë ku gjithsecili prej nesh të ndjejë mbi supe peshën e rëndë të sakrificës”, theksoi ai.
/a.a/e.caushi/























