TIRANË, 25 prill /ATSH/ – Opozita e zhvendosi protestën pasditen e sotme në 5 rrethrrotullime në vend, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve, ku nuk munguan edhe gomat e djegura dhe përplasjet me qytetarët që nxitonin në destinacionet e tyre.
Kështu, mbështetësit e opozitës bllokuan qarkullimin duke nisur nga ora 18, në rrethrrotullimin e sheshit “Shqiponja” në kryeqytet, në atë të Bradasheshit në Elbasan, në atë të Sheqit në Fier, në rrethrrotullimin e Plepave në Durrës dhe në rrethrrotullimin e Milotit.
Në rrethrrotullimin e sheshit “Shqiponja”, protestuesit kanë djegur edhe goma, ndërsa janë shënuar përplasje me qytetarët, pasi këta të fundit kanë tentuar të kalojnë rrugën. Radhë të gjata trafiku u krijuan për rreth një orë sa zgjati protesta në këtë aks, arterie e rëndësishme hyrëse e kryeqytetit.
Në protestën e opozitës, në rrethrrotullimin e Milotit, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, krahas bllokimit të rrugëve, nuk kanë munguar flakadanët dhe djegia e gomave.
Në Durrës, protestën e opozitës e drejtoi kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila tha se “këto protesta janë paralajmërim për Ramën”, pasi, sipas saj, mosbindja civile nuk ka nisur ende.
Edhe në rrethrrotullimin e Bradasheshit në Elbasan, është bllokuar qarkullimi për rreth një orë, duke penguar kalimin e mjeteve. Në këtë rrethrrotullim, protestuesit, mbështetës të opozitës dogjën edhe goma. Bllokimi krijoi trafik që vazhdoi edhe pas përfundimit të protestës dhe zhbllokimit të rrugës.
Mbështetës të opozitës bllokuan rrethrrotullimin e Sheqit në Fier, në nisje të aksionit opozitar të mosbindjes civile. Së bashku me demokratët e Beratit që kanë mbërritur për këtë protestë, mbështetësit e opozitës qëndruan në rrethrrotullim, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve.
Rrethrrotullimi i Sheqit është pikëkalimi për mjetet që kalojnë në aksin Tiranë-Vlorë.
Rreth orës 17:15 anëtarë, dhe simpatizantë të PD-së Berat janë mbledhur përpara selisë së PD-së në këtë qytet dhe ku më pas janë nisur drejt protestës. Atyre i janë bashkuar edhe anëtarët demokratë nga Kuçova dhe Ura Vajgurore. /j.p/






















