TIRANË, 18 prill /ATSH-Zina Tosku/ – Kuotat janë opsioni më i mirë për të siguruar përfaqësimin e grave, çka bëri që për herë të parë në historinë e Shqipërisë, parlamenti në 2017 të përfaqësohej nga numri më i lartë i grave ministre.
Në një studim të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për gratë në politikë për vitin 2019, raportohet se Shqipëria renditet e 4-ta në botë.
Shqipëria renditet në vendin e 4 në rang global, për sa i përket numrit të ministreve në qeveri.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Gratë (UN Women) ka kryer një studim të grave në politikë për vitin 2019, në 191 vende, ku konfirmohet progresi i qeverisë shqiptare në përfshirjen e grave dhe vajzave në vendimmarrje.
Ekspertët, politikanët dhe publiku në përgjithësi mendojnë se kuotat janë opsioni më i mirë për të siguruar përfaqësimin e grave, përfshirë më shumë fonde për gratë gjatë fushatave politike dhe më shumë promovim në media.
Po kështu, ky ishte edhe një nga gjetjet e raportit “Standardet e përfaqësimit në partitë politike” përgatitur me mbështetjen teknike të Entit të Kombeve të Bashkuara për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave (UN Women) dhe është zbatuar nga Instituti i Studimeve Politike në kuadër të programit “Lidershipi dhe Pjesëmarrja Politike” të publikuar në korrik të 2018.
Raporti i bazuar në gjetjet para dhe gjatë zgjedhjeve parlamentare 2017 nxori se për herë të parë në historinë e tranzicionit gratë dhe vajzat kanë 28% të vendeve në Parlament.
Kështu, për herë të parë në historinë e Shqipërisë në 2018, Parlamenti pati numrin më të lartë të grave ministre (10 nga 20 ministra në qeverinë me prurje teknike dhe 7 nga 14 ministra në qeverinë e re 2017). U zgjodhën 39 gra deputete, 22 prej të cilave për herë të parë si përfaqësuese në Parlament.
Aktualisht kabineti qeveritar përbëhet nga 8 ministre në krahasim me 5 burra në kabinet, krahas kryeministrit dhe zv/kryeministrit.
Po ashtu, ajo çka thuhet në raportin e 2018-ës lidhur me sistemin e votimit proporcional, si në zgjedhjet lokale ashtu edhe në zgjedhjet parlamentare ka të bëjë me rezultatet më pozitive për përfaqësimin e grave në Parlament dhe në këshillat bashkiakë, por në sistemin mazhoritar (votimi për kryetar bashkie) numri i grave konkurruese ishte në përqindje shumë më i vogël sesa kuota 30% e përcaktuar si standard minimal përfaqësimi.
Ndryshimet ligjore më me ndikim në Kodin Zgjedhor ishin më 2008, me përcaktimin e kuotës gjinore 30% të kandidimit në zgjedhjet parlamentare, si dhe në prag të zgjedhjeve lokale 2015 me zbatimin e kuotës gjinore 50% në listat e kandidimit dhe të zgjedhjes në këshillat bashkiakë. Kjo cilësohet në raport si përvojë pozitive e ndryshimit përmes ligjit e bën emergjente shqyrtimin e mundësisë për aplikimin e kuotës gjinore të detyruar edhe në zgjedhjen e deputetëve në zgjedhjet parlamentare.
Gjatë legjislaturës 2013-2017, rritja e numrit të grave deputete erdhi më shumë si pasojë e detyrimit në Kodin Zgjedhor për zëvendësimin e mandateve me gjininë më pak të përfaqësuar sesa përmes fitores direkt të mandateve. Konkretisht, nga 36 mandate parlamentare të ndryshuara gjatë kësaj legjislature, 17 mandate i kaluan grave deputete të listës, shifër shumë më e lartë sesa numri i grave që u zgjodhën direkt nga mandatet e fituara në shtator 2013. /a.g/























