TIRANË, 13 prill/ATSH/ Megi Zonja/ Gjatë takimit të zhvilluar me studentë ekselentë në kuadër të Paktit për Universitetin, zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli tha se administrata e MIE-së është e hapur ndaj të rinjve që duan të japin kontributin e tyre.
“Duhet të jeni kritik jo në kuptimin për të krijuar problematika me njerëzit që gjeni aty, por për të bërë sugjerimet përkatëse dhe të insistoni tek ajo pjesë që mendoni se është gjë shumë e mirë. Të gjithë kemi nevojë për njëri-tjetrin. Të gjithë mund të mësojmë edhe nga ata që kanë filluar punë që nga fillimi”, theksoi Shkreli.
Ndërsa zëvendësministri, Hantin Bonati ka ndarë me punonjësit e rinj të MIE përvojën e tij të përfshirjes në administratën publike.
“16 vite më parë isha student dhe unë. Pashë një njoftim në bashkinë e Tiranës asokohe. Si ju tani që keni aplikuar edhe unë aplikova me skepticizmin tim se mendoja se konkurset, sikurse ishin në atë kohë, mund të ishin me favorizime. Pas aplikimit fitova mundësinë për tu bërë specialist në një sektor në bashkinë e Tiranës dhe pastaj hap pas hap puna ime u vlerësua dhe ndoqa gjithë hapat deri këtu ku jam sot në pozicion të lartë të zëvendësministrit”, – theksoi Bonati.
Nga ana e tyre punonjësit më të rinj të MIE kanë treguar eksperiencat e tyre të arsimimit si dhe rrugës që kanë ndjekur për të ardhur deri në këtë moment të punësimit të tyre. Pjesa më e madhe kanë kanë rrëfyer për pasigurinë dhe mosbesimin që kishte shoqëruar aplikimet në portalin “pune te mbare.al.” por më pas gjithçka kishte ndryshuar kur aplikimet e tyre ishin trajtuar me seriozitetin e duhur dhe ata tashmë janë pjesë e administratës publike.
/e.caushi/






















