Ballina Aktualitet

Ngjarja e Rinasit, Bare: Koncesionari duhet të garantonte sigurinë

TIRANË, 12 prill/ATSH/ – Deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Bare duke iu referuar ngjarjes së Rinasit, theksoi se koncesionari dështoi që të garantonte sigurinë në aeroportin “Nënë Tereza”, duke vlerësuar si të shkëlqyer reagimin e Policisë së Shtetit në këtë ngjarje.

Sipas deputetit Bare, krimi nuk ka ngjyrë dhe për këtë politika duhet të bashkohet dhe ta dënojë këtë akt, dhe jo të hedhë akuza.

“Krimi nuk ka ngjyra politike dhe krimi është krim. E gjithë politika duhet të bëhet bashkë dhe të mbahet një qëndrim për të. Me këtë rast kemi të bëjmë më një vjedhje dhe krim që duhet të dënohet nga të gjitha forcat politike. Kujtoj një rast të ngjashëm në Barcelonë ku kishte edhe të vrarë, ku drejtuesit politikë në atë vend u bashkuan duke mbledhur 1 milion banorë në një manifestim. Manipulimi i akuzave të kësaj natyre nga opozita më duken shumë vulgare dhe opinion publik nuk i pranon ato. Reagimi i opozitës është aq tendencioz, që dashur-padashur të bën të vetëmbrohesh në një formë jo simetrike. Nga pikëpamja ligjore e ritheksojë që është detyrimi i koncesionarit që të krijojë sigurinë brenda aeroportit dhe reagimi i Policisë ishte i shkëlqyer për mua. Policia ka kryer një detyrë të jashtëzakonshme dhe le t’ja lëmë prokurorisë hetimin për të zbuluar të vërtetën”, – theksoi Baraj.

Sipas deputetit socialist, Qeveria shqiptare ka mbajtur një qëndrim rigoroz ndaj koncesionarit dhe se në aeroport nuk janë dislokuar Forcat e Armatosura, por Policia Ushtarake.

“Mesa di unë, autoritetet qeveritare kanë mbajtur një qëndrim rigoroz ndaj koncesionarit. Ajo që të bën përshtypje është reagimi i tyre (koncensionarit), i cili është jonormal dhe kjo lidhet me marrëveshjen që është bërë më koncesionarin para 20 vitesh, që është në dëm të vendit. Qeveria i ka dërguar ultimatum koncesonarit që nëse nuk merr masa për sigurinë në aeroport, do të sillte masa ekstreme nga ana e shtetit. Aty nuk është ushtria, por Policia Ushtarake. Policia Ushtarake e ka detyrim ligjor që në situata të tilla të sigurojë dhe monitorojë. Edhe këtu duan të konfondojnë. Kur futet politika bëjnë që të krijohen mjegull në opinionin, publik. Nuk kemi dislokim të FA-ve, por të Policisë Ushtarakë dhe kjo është një periudhë kalimtare, pasi çdo gjë është momentale. Shqipëria është e sigurtë dhe aeroporti është i sigurtë”, – vijoi ai.

I pyetur rreth protestës së opozitës ditën e shtunë, deputeti socialist theksoi se kreu i PD, Basha mund të mbijetojë në politikë vetëm nëse përhapë panik dhe kaos.

“Unë do të thosha që Basha nuk ka alternativë tjetër. Basha mund të mbijetojë në politikë vetëm nëse ka kaos dhe nëse ka destabilitet. Pashë trendin e popullaritetit të Bashës në sondazhet që janë bërë, sot ai vlerësohet 13,8% nga publiku. Këto tregojnë qartazi që besueshmëria e Bashës është minimale dhe ai mund të mbijetojë nëse implementohet kaosi. Kështu që në këto rrethana, besimi i forcave aleate dhe deputeteve të PD te Basha është minimalist. Në kushtet që janë bërë disa zgjedhje dhe Basha ka humbur dhe nëse do të ishin respektuar standardet demokratike, Basha duhet të ishte larguar. Në 2013 dhe 2017 Basha nuk pati kontestim për zgjedhjet. U pranuan nga vëzhguesit dhe PD dhe nuk pati atë kontestim siç kishim ne në vitin 2009. Ne kemi kapur votues te Fusha e Aviacionit, që votonin në Dibër dhe votuan edhe te Fusha e Aviacionit”, – përfundoi Bare. /e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakXHAKARTA – Një tërmet i fuqishëm tondit Indonezinë, alarm për cunami
Artikulli tjetërNgjarja në Rinas – Manja: Hetime të thella deri në nxjerrjen e përgjegjësisë